TIRANE- Analisti Andi Bushati teksa komentoi situatën politike në vend, deklaroi se LSI, aleati në qeverisje, nuk ka mbajtur një rol të qartë dhe të hapur në lidhje me kërkesat e opozitës dhe zgjedhjet e 18 qershorit. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Bushati theksoi se Ilir Meta, pavarësisht se e ka një mendim, nuk ka dhënë një zgjidhje sipas tij.

“Sot palët politike janë më larg se kurrë njëra-tjetrës. Basha thotë: ‘Rama mos të jetë, qeveri teknike, ndryshe nuk shkoj në zgjedhje’. Rama thotë: ‘Jo qeveri teknike, ata po të duan të vinë apo jo, unë këtu do jem’. Meta s’ka asnjë mendim të vetin. Brenda një kornize ‘qetësi dhe dashuri’ duket se bën batuta që i ngrenë nervat Ramës. Rama i shkon deri në fund zgjedhjeve të 18 qershorit. Po LSI çdo bëjë? Do ndjekin karrocën e Ramës apo Bashës? Meta del në skenë për të bërë batuta dhe se dimë se ç’mendon LSI.”, theksoi Bushati. Nga ana tjetër ai u ndal dhe tek roli i KQZ në procesin parazgjedhor, ndërsa e cilësoi si institucion politik, shkruan ‘BalkanWeb’.

“Ajo që me shqetëson tek KQZ-ja, është fakti se duket sikur po i kthehemi një KQZ-je politike, që e tregoi veten në rastin Blushi dhe në rastin Prenga. Çfarë ndryshoi që nuk e zbatoi ligjin para dy javësh, por vendosi sot të zbatojë sot ligjin?”, pohoi Bushati. Po ashtu, analisti Bushati u ndal dhe tek zgjedhjet e 18 qershorit dhe fakti nëse ka mundësi që ato të shtyhen apo jo. “Unë nuk e di nëse do shkohet në 18 qershor. Gjysma e palëve thotë se nuk do shkohet. Siç pretendohet se ça thotë Basha dhe si i përgjigjet Rama. Të mbash një qëndrim, është një qëndrim prej juristësh. Dhe Presidenti Nishani hodhi një ide që ne në Shqipëri kemi një precedent që zgjedhjet janë shtyrë. I shtyu Berisha me këmbënguljen e Ramës. Unë besoj se pavarësisht nga këto do ketë një qëndrim politik. Varet se çdo bëjnë palët politike.”, tha analisti.

Ndërkohë, Bushati u pyet dhe në lidhje me koalicionin qeverisës, PS-LSI, ndërsa theksoi se nëse vinte dikush nga një planet tjetër do mendonte se Meta dhe Rama janë armiq. “Ju u duket se sot ky koalicion ka entuziazëm? Me gjithë atë rrëmujë, me gjithë ato akuzat? Akoma nuk i dinë se kë kanë kandidat për kryeministër. Sikur të zbres njeri nga një planet tjetër dhe t’i dëgjojë, thotë se këta janë armiq prej vitesh. Ata nuk kanë më as afrim programor, asgjë. Thjesht po bëjnë llogaritë e tyre të numrave dhe kjo llogari vetëm entuziazëm nuk ka.”, pohoi Bushati. Sakaq, Bushati ndau dhe mendimin e tij lidhur me çadrën e opozitës dhe vizitën e Bashës sot në Uashington. Analisti theksoi se nuk pret që Basha të kthehet nga SHBA me një çantë, brenda të cilët do të jetë dhe zgjidhja.

“Nuk mendoj se pritet ndonjë zhvillim i madh që do bëjë Basha në Uashington. Ai po shkon më tepër për lëvizje propagandistike. Jo e gjitha është që t’i imponohet çadrës që ‘kemi mbështetje dhe nga jashtë’. Nuk besoj se Basha do kthehet nga Uashingtoni në çantë me zgjidhjen. Berisha ka bërë akuzat më të rënda për Donald Lu-në. Pse shkoi tek Berisha? Sepse është mbajtësi i dy çelave. Është krahu i tij në PD që po e mban në një rrugë radikale, që e pengon për vettingun. Berisha është dhe kundër asaj që kërkon Basha. Ambasadori Lu mendon se duke ushtruar më shumë trysni tek Berisha mund ta ktheje PD në rrugën institucionale. Duket si çudi por kjo është një rrugë që Berisha po e mbron këto kohë. Nëse ne kemi patur para syve një Bashë të butë, tani radikalin po e bën ai dhe rrugën institucionale, të paktën në formë po e ndjek Berisha.”, tha Bushati.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb