BRUKSEL-Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, mori pjesë në Sesionin e 125 Ministror të Këshillit të Evropës, që u zhvillua në Bruksel. Në këtë takim morën pjesë Ministrat e Punëve të Jashtme të 47 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

Gjatë punimeve të Sesionit Ministror u diskutua mbi Raportin e dytë të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, fokusuar mbi situatën e demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut në Evropë, i cili bazohet në aspekte të veçanta të sigurisë demokratike në Evropë. Njëkohësisht, në kuadër të kontributit dhe rolit ekskluziv të Këshillit të Evropës në vendosjen e standardeve ligjore në luftën kundër terrorizmit, Ministrat miratuan Deklaratën dhe Planin e Veprimit 2015-2017 të KiE-s kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm. Gjithashtu, u ra dakord për tekstin e Protokollit shtesë të Konventës së KiE-s kundër Terrorizmit, me fokus të veçantë ndaj luftëtarëve terroristë të huaj.

Ministrat i kushtuan vëmendje të veçantë rolit të Këshillit të Evropës në përgjigje të krizave aktuale dhe konflikteve në Evropë, si dhe situatës humanitare me pasoja tragjike për jetët njerëzore në Mesdhe.
Në fjalën e tij, Ministri Bushati vlerësoi raportin e paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm Jagland, duke theksuar rolin e Këshillit të Evropës në sigurinë demokratike të kontinentit tonë. Viti 2015 shënon 20 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë. Përgjatë kësaj periudhe vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në forcimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës, dhe sot është një vend kandidat i BE-së e faktor i rëndësishëm në stabilitetin rajonal.

Ministri nënvizoi rëndësinë që merr rajoni i Ballkanit Perëndimor në situatën aktuale të krizës dhe konflikteve në lindje dhe në jug të kontinentit si dhe të flukseve migratore në Mesdhe. Në kuadër të situatave të konfliktit në Evropë, Ministri theksoi rëndësinë që i kushton Shqipëria sfidave të sigurisë si dhe evidentoi faktin se sot organizohet në Tiranë Ministeriali mbi Luftën Kundër Dhunës Ekstreme, në vijim të takimit të parë, mbajtur në Shtëpinë e Bardhë.

(a.n/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: