TIRANË- Parlamenti ka miratuar sot Buxhetin 2017 me 80 vota ndërsa opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Por ndryshe nga buxheti, maxhoranca ka qenë e ndarë për koncesionin e laboratorëve, pasi është rrëzuar edhe kërkesa e LSI-së për pezullimin e financimit të partneritetit publik-privat për laboratorët spitalorë.
Kuvendi hodhi poshtë me 63 vota kundër amendamentin e paraqitur nga LSI, i cili kërkonte që fondet e parashikuara për laboratorët spitalorë të përdoren për qëllime të tjera të shërbimeve spitalore, në rast të dhënies me koncesion të këtij shërbimi. Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili kërkoi që asnjë fond të mos lëvizi nga ministria e Shëndetësisë, deri sa kjo nismë e qeverisë të jetë e plotë dhe e qartë për të gjithë.
Në përgjigje të kërkesës së z. Vasili, ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se amendameti i paraqitur nuk mund të hidhet në votim, duke qenë se fondi për koncensionin nuk është paraqitur në tabelat e ligjit të buxhetit. Por, deputeti Vasili kërkoi hedhjen në votim, duke qenë se, sipas tij, tabela e investimeve është tabelë integrale e ligjit të buxhetit, dhe në tabelën integrale është planifikuar.
Në këtë situatë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta theksoi se amendamenti do të hidhet në votim duke qënë që këshilltarët e Komisionit të Ekonomisë e kanë pranuar si propozim amendamentin e paraqitur nga z. Vasili.
Seanca e sotme miratoi gjithashtu dhe tre pr/ligje, të propozuara nga Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, që parashikojnë krijimin e lehtësirave në ofrimin e shërbimeve publike. Me 81 vota u miratuan ndryshimet në ligjin “Për nënshkrimin elektronik”; dhe ndryshimet në ligjin “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, ndërsa ndryshimet në ligjin “Për dokumentin elektronik” u miratuan me 80 vota.
Ratifikimi i marrëveshjes së garancisë, ndërmjet palës shqiptare dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin “Shqipëria: plani i ristrukturimit të KESH-t” u miratua me 81 vota.
Anëtarët e rinj të Autoritetit të Konkurencës, Juliana Latifi dhe Ilir Gedeshi u miratuan përkatësisht me 67 vota dhe 65 vota.
Kuvendi miratoi sot me 82 vota pro dhe pr/rezolutën “Për vlerësimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare”, ndërsa Kuvendi miratoi edhe Kodin hekurudhor, i mbartur për votim nga seancat parardhëse.
Kuvendi miratoi me 81 vota pro p/ligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Me 79 vota pro u miratua p/ligji “Për
taksat kombëtare”, të ndryshuar .
Me 81 vota pro u mirtua – Projektligji “ Për disa ndryshime në ligjin nr.9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar 81 vota pro
Me 80 vota pro u miratua projektligji “Për një shtesë në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.
(m.k/BalkanWeb)
