Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit ditën e sotme deklaroi se qeveria mbledh dhe shpenzon 40 deri në 50% të të ardhurave vjetore vetëm në muajin dhjetor.

Ajo shtoi se qeveria u mburr se buxheti i shtetit është një buxhet i madh, por tha më tej se një buxhet i tillë do të thotë qytetarë më të varfër për shkak të rritjes së taksave, ndërsa theksoi se edhe rritja e pagës minimale ka sjellë rritje tjetër taksash për qytetarët.

Tabaku foli gjithashtu mbi inceneratorët, teksa deklaroi se fondet për të tre përpunuesit e mbetjeve merreshin nga buxheti i shtetit dhe qarkulloheshin mes tyre, ndërsa shtoi se qeveria duhet të merrte masa kundër tyre duke ndaluar  pagesat e inceneratorëve.

“Për mua raporti i KLSH është një nga më tronditësit. Janë bërë 6 akte të ndryshme normative për të cilat sot rrahin gjoksin dhe e kanë kthyer aktin normativ në rregull, akti i dytë është bërë 2 muaj pas miratimit të buxhetit të shtetit, parashikimi i të ardhurave është në sport që qeveria nuk ia mori dorën kurrë. E gjithë qeveria shqiptare punon vetëm në muajin e dhjetorit, 40-50% e të ardhurave merren dhe shpenzohen në dhjetor, punojnë një muaj në dhjetor sa për 12 muajt e vitit. Sot qeveria shqiptare shpenzon e mbledh të ardhura vetëm në fund të vitit praktikisht.

Të gjitha shpenzimet janë kryer në këtë muaj.  Qeveria u mburr jashtëzakonisht shumë se ky është një buxhet i madh në vlerë, por çfarë do të thotë kjo. Buxheti i madh dhe shteti i madh do të thotë qytetar i varfër, pra mburren se kanë rritur taksat për njerëzit, kjo nuk është krenari. Sa më të varfër të jenë qytetarët aq më e lehtë është t’i manipulosh ata. Sa i përket pagës minimale, qeveria u mburr me këtë, por rezultoi në rrijte të buxhetit të shtetit, nuk është fare meritë. Shqetësim që kam ngritur është numri i lartë i rialokimeve të buxhetit, rishikime të shumta fondesh me vlerë totale rreth 500 milionë euro.

Çfarë programimi buxhetor flasim këtu kur gjithë sistemi është në pikëpyetje, buxheti i këtij viti ishte një listë dëshirash, projektesh pa bazë e analizë. Raporti i KLSH jep të dhëna shqetësuese në lidhje me koncesionet dhe PPP-të. Sot dua të ndalem te inceneratori  i Tiranës, asnjë nga kompanitë nuk kishte para, merreshin fondet nga buxheti dhe qarkullonin mes inceneratorëve, të dhënat tregojnë se SPAK ka filluar hetimin për këto pagesa për punë të parealizuara kurrë. Qeveria emajtë mburret se rrit taksat, dhe për çdo projekt deri sa dalin para drejtësisë, qeveria duhet të merte përgjegjësi dhe të ndalonte pagesat e inceneratorëve. Vijnë këtu e sulmojnë opozitën, besoj se sot qytetarët e kanë të qartë se kush e mbuloi çështjen e inceneratorëve”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: