Nga Mariglen Mërtiri
Qeveria ka parashikuar për sektorin e arsimit 38 miliardë lekë buxhet për të përmbushur nevojat dhe objektivat për dijen e shqiptarëve. Ky buxhet i cili u prezantua nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla në komisionin parlamentar ka një rritje prej 10% krahasuar me atë të vitit 2017.
Në këtë buxhet parashikohen 600 milionë lekë shpenzime për sigurimin e teksteve falas për nxënësit e arsimit bazë. Por ky parashikim në buxhet vetëm me një fjali për një iniciativë që opozita e ka kërkuar prej disa kohësh ka ndezur debatin ku demokratët e cilësuan vjedhje dhe plagjiaturë të kauzës së tyre.
Pyetjet mbi ekzistencën e Akademisë së Shkencave në vijim kanë marrë një përgjigje nga Lindita Nikolla e cila deklaroi se prej një viti me iniciativën e kryeministrit janë ngritur disa grupe pune për trajtimin e problemit të të bërit shkencë në vend dhe deri më sot kanë gati strategjinë e cila mbetet të plotësohet me strukturën e saj, ku kjo akademi do të ketë një rol honorifik.
Në nisje të mbledhjes as në këtë komision nuk u anashkalua çështja e kanabisit ku demokratët kërkuan nga kolegët socialist të distancohen nga mandatet e blerë me lekët e drogës.
(m.k/BalkanWeb)
