Lajme të mira për Bayern Munich në prag të përballjes së madhe në Champions League. Ylli dhe njëkohësisht lideri i skuadrës bavareze Harry Kane është rikthyer në stërvitje me ekipin, pasi kaloi problemet me kyçin e këmbës që e shqetësuan gjatë grumbullimit me Anglinë.
Sulmuesi anglez mori pjesë në pjesën e parë të seancës stërvitore, duke rritur shpresat për aktivizimin e tij në ndeshjen çerekfinale kundër Real Madrid, që luhet të martën në mbrëmje.
Trajneri Vincent Kompany konfirmoi më herët se lojtari kishte ndjerë dhimbje në kyç gjatë stërvitjes me kombëtaren, ndërsa drejtori sportiv Max Eberl theksoi se stafi mjekësor ka punuar intensivisht për rikuperimin e tij.
Megjithatë, në kampin bavarez vazhdon të mbetet mister gjendja e saktë e dëmtimit, pasi klubi nuk ka zbuluar se cila këmbë është prekur. Tashmë, të gjithë sytë janë te Kane, i cili pritet të jetë një nga pikat kyçe në supersfidën ndaj Real Madridit.
Ndërkohë nga mediat gjermane vijnë edhe lajme të rëndësishme nga merkatoja. Drejtuesit bavarez janë duke menduar për pasuesin e Manuel Neuer. Ndër emrat e shumtë kandidatë, spikat edhe ai i portierit aktual të Dortmund, Gregor Kobel. Kobel është pjesë e verdhezinjve që prej 2021, ndërsa kontrata e tij skadon më 2028. Për të fituar shërbimet e portierit zviceran, gjigandët bavarezë do duhet të mposhtin konkurrencën e Chelseat dhe Newcastle.
