Nga Bylis tek Bylis, brenda 9 ditësh magjia e Skënderbeut zbehet ndjeshëm. Pas një rrugëtimi fantastik, me 6 fitore e 1 barazim në 7 ndeshjet e fundit në kampionat, korçarët pësuan humbjen e parë në Ballsh, një humbje që i zbret nga zona europiane. Jo vetëm në kampionat, Bylis i shkaktoi një humbje minimale edhe në sfidën e parë në Kupë duke i ndërlikuar një tjetër pistë europiane. Në futboll dikush qan e dikush qesh dhe ky është një rast tipik, dy fitoret përballë Skënderbeut ndezin edhe një herë sezonin e Bylis. Ballshiotët janë me një këmbë në fazën gjysmëfinale, rruga e vetme për të kapur europën, pasi në kampionat pavarësisht se janë 6 pikë larg vendit të tretë duke e vështirë të kalojnë 4 ekipe në 6 javët e mbetura.
Bylis zhvilloi një pjesë të parë thuajse perfektë në aspektin taktik, duke krijuar disa raste për shënim por gabuam shumë në pasin final e në finalizim. Në fraksionin e dytë kur ekipi i Ilir Dajës mori kontrollin e lojës, Bylis luajti fort për topin e parë, shpesh duke shkaktuar faull të rëndë që irrituan pa masë trajnerin Daja dhe stafin drejtues të Skënderbeut. Gjyqtari i takimit hezitoi në dy momente të ndëshkonte me kartonë futbollistët e Bylis por nuk hezitoi aspak të akordonte një penallti në minutën e 92-të. Isli Hidi veshi dhe një herë stofin e heroit duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, një gol trepikësh që largon gjithnjë e më shumë ballshiotët nga zona “play out”.
(BalkanWeb)
