Bylisi po funksionon si një trampolinë dhe klub ku rriten e promovohen talente, vendës dhe të huaj, kjo tashmë është e konfirmuar. Te ballshiotët, dy nga lojtarët që kanë provuar të luajnë titullarë, 18-vjeçari Fabjan Përndreca dhe mbrojtësi anësor 20-vjeçari Aurel Marku janë grumbulluar nga Shpresa U-21.
Ndërsa, janë të tjerë lojtarë gati për kombëtaret U18, U-19, apo U-20 që kanë spikatur. Madje, Ofori është pjesë e Ganës U-20, ndërsa me Gambian U-20 janë edhe dy lojtarët Maneh dhe Chem. Pa harruar kamerunasin Koxhi, edhe ai pjesë e U-20 së Kamerunit. Kane është pjesë e U-23 të Senegalit, kurse Malomo pret ftesë nga Nigeria A. Aboubakar kamara për momentin është sërish pjesë e Nigerit dhe një lojtar prej të cilit pritet shumë.
Lojtarë që kanë qenë titullarë por edhe kanë spikatur, por edhe nga ata që kanë bërë mirë te ekipi B dhe U-21, por që të gjithë me të ardhme të sigurt, çka mund t’i garantojnë edhe të ardhura të sigurta mallakastriotëve, në këtë merkato apo dhe në vijim. Pa thënë se janë edhe disa lojtarë nga organika, të cilët janë në vëmendje, siç janë portieri Beqaj, Abazaj, Ruçi e Përgjoni, me cilësi dhe që kanë të ardhme, ndaj edhe trampolina Bylis u vlen shumë.
Ndaj edhe jo më kot, janë të shumta klubet që kanë hedhur grepat në Ballsh, por që më parë duhet të bindin presidentin Besnik Kapllanaj, ai që deri më tani ka ndërtuar me mjeshtëri strukturat e klubit. Për afro dy dekada kontribut kolosal, e ka ndryshuar totalisht menaxhimin e skuadrës. Nga një ekip ku nuk po funksiononte as te moshat, tashmë mallakastriotët përfaqësohen me dinjitet në elitë, furnizojnë ekipet kombëtare të moshave, por edhe po shesin lojtarë. Jo më kot qarkullon edhe batuta: “Çdo ekip i Superiores, ka në përbërjen e vet 2- 3 lojtarë që kanë dalë nga Bylisi, që nga Egnatia e para e deri te Laçi”…
