Fitorja me Tiranën e cila erdhi në startin e fazës së dytë, sigurisht që ka lënë shije të mirë te ballshiotët. Për më tepër qe vinte edhe pas një tjetër suksesi në shtëpi, në sfidën e javës së fundit të fazës së parë me Vorën në “Adush Muçaj”.

Pra, në dy javë, me dy skuadra rivale për mbijetesën, mallakastriotët ja kanë dalë që të marrin gjashtë pikë dhe të jenë më të qetë në sfidat e radhës, çka do të thotë se synimet dhe oreksi janë rritur dukshëm. Por kalendari duket se rezervon sfida delikate dhe shumë të forta në vijim. Ballshiotët kanë një skuadër që luajnë edhe ndaj të mëdhave si dinjitoze, ndonëse u pa që edhe në ndeshjen e fundit gjykimi u mohoi një penallti kur Valeriano goditi me bërryl Peraltën. Pra, bëhet ndeshja e katërt radhazi që ballshiotët goditen nga gjykimi e natyrisht ky episod është analizuar edhe në fund të sfidës.

KALENDARI- Bylisi e nisi në transfertë me Tiranën dhe do të luajë sërish jashtë fushe. Ballshiotët do të jenë mysafirë në Vlorë, në duelin që duhej të luhej në Ballsh por nisur nga fakti se sfida e parë u luajt në “Adush Muçaj”, me marrëveshje mes klubeve, sfida e fazës së dytë do të luhet në Vlorë. Më pas luajnë me Egnatian sërish në transfertë dhe presin Dinamon në Ballsh.

Pra, ballshiotët e kanë “malore” startin e pjesës së dytë të garës, por për ekipin e trajnerit Mirel Josa tashmë situata është ndryshe. Mallakastriotët janë një grup më solid, kanë elementë që tashmë kanë kapur formën e tyre më të mirë dhe synimet janë rritur. Me ekspertin Mirel Josa në krye, te ballshiotët synimet janë për më shume në kampionat dhe Kupë, sepse krahas formacionit ka edhe konkurrencë në stol, ku së fundmi janë parë emra si: Mustafa, Abazaj, Sulovari, Ofori, Malomo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb