Mes miqësoreve dhe kulmit të përgatitjeve, në Ballsh tashmë mendohet kryesisht për sfidën e parë me Tiranën në shtëpi. Bylisi regjistroi edhe barazimin e tretë radhazi në miqësore: pas 0-0 me Lushnjën në Ballsh dhe 1-1 me Apoloninë në Fier, të shtunën mallakastriotët e Mirel Josës barazuan 0-0 me një nga pretendentët për titullin kampion, Partizanin.
Nga loja e treguar, Bylisi u pa si një ekip më solid, ku ndjehet qartë dora e trajnerit Mirel Josa dhe skuadra po fillon të marrë formën e duhur. Në këtë test u aktivizuan të gjithë lojtarët që trajneri kishte në dispozicion, duke shërbyer si një provë e vlefshme për mallakastriotët. Edhe afrimi më i fundit, mbrojtësi 18-vjeçar nga Mali, Koita, luajti në pjesën e dytë dhe bëri paraqitje të mirë.
Gjatë kësaj periudhe janë testuar të gjithë elementët e grumbulluar dhe nga sa duket, skuadra është thuajse gati për sezonin e ri. Megjithatë, presidenca synon ta “blindojë” ekipin në çdo repart. Së shpejti pritet të bashkohen me grupin një portier i ri, një mbrojtës i djathtë dhe ndoshta edhe një sulmues. Me këto tre afrime, merkato e Bylisit do të mbyllet.
Ishte diskutuar edhe një ndeshje me Luftëtarin, nëse faza përgatitore do të kryhej sërish në “qytetin e gurtë”, por ende nuk është zyrtarizuar. Deri në startin e kampionatit më 23 gusht, ballshiotët do të bëjnë të pamundurën që ekipi të jetë gati për përballjen e parë me Tiranën në Ballsh. Stafi teknik synon të stabilizojë formacionin dhe të ndihmojë në ambientimin e afrimeve të reja, si dhe të atyre që do të vijnë deri në fund të merkatos së verës. Nuk përjashtohet mundësia e ndonjë surprize cilësore në fund të merkatos.
