Bylisi tashmë e ka rritur dozën, dy seanca në ditë dhe ushtrime me topin, por edhe ngarkesa fizike. Mallakastriotët duket se tashmë janë të fokusuar te faza përgatitore, ku duket se nga sot do të nisin edhe ushtrimet në palestrën e forcës.
Në Ballsh ende nuk kanë mbërritur të gjithë lojtarët e huaj, sepse priten edhe nigeriani që luan në sulm, Mustafa Ibrahim apo dhe braziliani në qendër të mbrojtjes, Bruno. Të dy janë me kontratë, ndërsa klubi aktualisht po shqyrton ofertat për 3- 4 lojtarë titullarë, të cilët kërkohen nga klube brenda dhe jashtë vendit. Ajo që bie në sy është serioziteti dhe angazhimi nga hallkat në klub, ku siç dihet këtë sezon, Bylisi i ka nisur përgatitjet shumë herët, krahasuar me një sezon më parë. Javën që vjen, ballshiotët pritet që të vendosin edhe për fazën përgatitore.
Gjithashtu, edhe për ndonjë ndeshje miqësore me ndonjë nga skuadrat e së Parës, që kanë nisur përgatitjet. Kampionati starton pas një muajve e gjysmë dhe ballshiotët janë në kohën e duhur. Madje, edhe grupin e kanë shumë më të konsoliduar dhe me një bërthamë që ka bërë mirë sezonin e shkuar. Mallakastriotët janë të vendosur që këtë sezon të jenë ndryshe, ndaj edhe do të angazhohen në merkato, për afrime cilësorë dhe lojtarë që do të bëjnë diferencën. Porta dhe sulmi janë repartet më nevralgjike, por përforcim do të kërkohet edhe në mbrojtje.
Bylisi do të kërkojë që të shfrytëzojë edhe eksperiencën në elitë në krahasim me disa nga ekipet e tjera të elitës, por edhe bazën e lojtarëve që kanë vite në elitë. Natyrisht që nga merkato nuk përjashtohen edhe surprizat, pasi gjithmonë presidenca mallakastriote ka ditur të zgjedhë në treg, si duke afruar lojtarë me eksperiencë të huaj dhe vendas që kanë spikatur, por edhe të rinj të talentuar që kanë lënë gjurmë në elitë.
