NGA ZONJA KATERINA
Përbërësit
500 gr pure patate (3 patate, ½ gotë qumësht, 1 lgj gjalpë)
1 patëllxhan
1 qepë, 1 presh
½ fiilxhan vaj
200 gr djathë të verdhë
1 petë sfoljatë
Arrë moskat
Kripë, piper, trumzë
1 kokërr vezë

Përgatitja

Fillimisht përgatisim purenë duke vendosur patatet të ziejnë për rreth 20-25 minuta. Më pas i shtypim patatet mirë dhe i trazojmë me pak qumësht dhe me një lugë gjalpë.

Ndërkohë në një tigan me vaj ulliri kaurdisim qepën dhe preshin të grirë imët. Shtojmë më pas kripë, piper, arrë moskat, trumzë ose rigon.

Patëllxhanin e presim në feta rrumbullake dhe e kalojmë në një tigan që nuk ngjit ose në furrë me pak vaj ulliri.

Në një tavë vendosim një letër kuzhine dhe më pas vendosim petën e sfoljatës. Me anë të një thike bëjmë nga të dyja anët e petës sfoljatë nga një prerje vertikale në mënyrë të barabartë, dhe më pas anësoret i presim segmente segmente.

Vendosim në pjesën qëndrore të petës sfoljatë një shtresë me pure patate, më pas vendosim një shtresë me presh, një shtresë me patëllxhanë dhe një shtresë me djathë të verdhë të grirë në rende. Sipas dëshirës mund ta bëjmë me një shtresë ose me dy shtresa. Më pas anët e petës sfoljatë që kemi prerë i palosim si një gërshet. E lyejmë në fund petën me një të verdhë veze dhe e vendosim në furrën e parangrohur në temperaturën 190 gradë Celsius për 40-45 minuta.
(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb