Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish kthimin e Belinda Ballukut në detyrë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri Rama tha se vendimi i mëparshëm për pezullimin e Ballukut, goditi organizimin demokratik të shtetit.

Gjithashtu Rama ndau edhe një episod duke thënë se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional.

Ai tha se disa agjentë të BKH kishin shkuar te ambientet e Kryeministrisë dhe sipas tij kishin refuzuar të dorëzonin armët tek hyrja e godinës siç rregullorja e Gardës e kërkon.

“Nuk do ta ndjek kurresesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës.

Pra, nuk dua kurrsesi të them se ferrat e mendësive e sëmundjeve të vjetra, e kanë marrë uratën e drejtësisë së re, por dua të ndaj me të gjithë  bindjen se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik, ku duhet të garantojmë medoemos suksesin e Reformës në Drejtësi, duhet të garantojmë  pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë medoemos që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb