Nga baza ajrore e Kuçovës, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako dha një përditësim mbi situatën e zjarreve që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit.
Në një deklaratë për mediet, ai falënderoi ekipin hungarez që mori pjesë për katër ditë në operacionin për menaxhimin e vatrave të zjarrit në të gjithë Shqipërinë.
“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po monitoron situatën dhe koordinon reagimin në gjithë territorin e Shqipërisë ku trupat e FA, ekipet zjarrfikëse, dhe ekuipazhet vendase dhe nga vendet aleate nga ajri mbeten të angazhuara 24 orë. Mirënjohje e madhe për pilotët hungarezë të cilët sot përmbyllën misionin e tyre në Shqipëri!”, tha Çako.
Sipas Çakos, aktualisht situata nga zjarret është nën kontrolle ndonëse “kanë qenë dy ditë dhe netë shumë të ngarkuara”.
“Gjatë netëve ka pasur një intensitet të jashtëzakonshëm zjarresh, çka ka bërë të domosdoshme aktivizimin dhe organizmin e të gjithë forcave të strukturave operacionale. Aktualisht vijojnë të jenë në operim në terren”, tha Çako.
Çako u shpreh se “disa nga vatrat më problematike të cilat kanë rrezikuar jetën dhe normalitetin e banorëve ka qenë në Malin e Shpiragut në Berat, në Malin e Shashicës në Vlorë, problem ka pasur edhe në Bulqizë, po ashtu edhe në Borsh dhe Piqeras ku ka pasur prezencë të shtuar të forcave edhe strukturave, të cilët kanë mundur së pari të sigurojnë jetën e qytetarëve dhe banesat e tyre ku jo në pak raste është dashur edhe evakuimi i banorëve”.
Kreu i AKMC-së nënvizoi se “dita e sotme është me një përmirësim të konsiderueshëm të vatrave të zjarrit, ndonëse kemi ende një numër të madh të tyre që po monitorohen me forca të shumta, por falë ndryshimit edhe të kohës jemi në një situatë të favorizuese, që shpresojmë ta menaxhojmë në nivel kombëtar pa dëme dhe rreziqe për qytetarët tanë”.
“Aktualisht po kryhen operacione për ndërhyrjen nga ajri me helikopter të cilat vijojnë në Borsh, në pjesën e Zhulatit në jug të vendit, një helikopter në Bërzhitë po mbikëqyret edhe për të ndërhyrë në Bulqizë”, komandanti i bazës së Aviacionit Farkë .
