* Çako: Nuk stepemi nga video-mesazhet me përmbajtje terroriste

* Çipa: Luftoni pa kompromis krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme

* Qato: Kultivimi i narkotikëve, së shpejti monitorim nga ajri nga policia italiane

KORÇË- Zyrtarët më të lartë të Policisë së Shtetit janë takuar sot me strukturat e Policisë së Korçë ku kanë dhënë disa porosi të rëndësishme në drejtim të luftës kundër terrorizmit, fushatës elektorale, kultivimit të bimëve narkotike etj.

Gjatë këtij takimi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako tha se strukturat e Policisë së Shtetit janë në proces ristrukturimi në përputhje me objektivat e Ministrisë së Brendshme. Sipas Çakos ky ristrukturim nuk ka të bëjë vetëm me strukturën por edhe mentalitetin dhe filozofinë e punës.

“Strukturat e Policisë së Shtetit janë në proces ristrukturimi. Janë dhënë porositë që të përcillen idetë dhe në bazë për ristrukturimin e policisë në përputhje me objektivat e Ministrisë së Brendshme. Ristrukturimi jo vetëm strukturor;  por dhe në mentalitet e filozofi. Polici, që t’i ofrojë komunitetit shërbim cilësor e në kohë”, theksoi Çako.

Më tej ai deklaroi se një prioritet i rëndësishëm është partneriteti kundër terrorizmit, duke kërkuar vëmendje maksimale ndaj tij. “Jeni njohur me një plan bashkëveprimi për këtë problem. Kërkoj vëmendje të shtuar nga të gjitha strukturat. Jemi të vendosur të zbatojmë ligjin e të prodhojmë rend e siguri për qytetarët, pa u stepur nga video mesazhet me përmbajtje terroriste”, nënvizoi Drejtori i Policisë.

Çako u ka kërkuar të gjithë strukturave të policisë së qarkut Korçë, nëpërmjet tyre edhe një herë të gjithë Policisë së Shtetit që punonjësit e policisë të qëndrojnë në anë të ligjit, larg procesit elektoral.

“Policia e Shtetit  nuk ka zgjedhje, nuk është në garë. Policia e Shtetit ka shërbim dhe zbatim me korrektësi të ligjit. Unë dhe stafi im, jemi të vendosur të ndëshkojmë cilindo punonjës policie që do implikohet në anën politike të cilitdo krah. Po ju përcjell edhe porosinë e Ministrit Saimir Tahiri për të rritur tempin ndaj goditjes së krimit, të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe reagimin në kohë reale dhe në zbatim korrekt të ligjit ndaj kujtdo që do tentojë të cenojë procesin elektoral përsa i përket problematikës që mbulon policia”.

Drejtori i Policisë ka theksuar se duhet rritur lufta ndaj fenomenit të korrupsionit, së pari brenda radhëve të policisë dhe me tej kudo ku evidentohet ky fenomen. “Së fundi jam i bindur se tashmë në strukturat e Policisë së Shtetit do vegjetojë profesionalizmi mbi përkohshmëri”, tha ai.

Ndërkohë zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Ardian Çipa kërkoi bashkëpunim të policisë së Korçës me strukturat e anti-terrorit.

“Të bashkëpunoni me strukturat e anti-terrorit në Drejtorinë e Policisë së Shtetit për të marrë çdo informacion  për ndonjë  element me tendenca terroriste me qëllim parandalimin e çdo akti të mundshëm terrorist. Luftoni pa kompromis krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme”, theksoi ai.

Edhe zëvendësdrejtori Altin Qato kërkoi kontroll të territorit për të gjitha paligjshmëritë. “Kontrolli i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, i vjedhjeve dhe e paligjshmërisë në tërësi është shumë i domosdoshëm. Ushtroni kontroll në gjithë territorin e qarkut për bimët narkotike. Së shpejti do fillojë dhe monitorimi nga ajri nga Policia Italiane. Rrisni akoma më shumë forcën parandaluese ndaj fenomeneve kriminale”, u shpreh Qato.

 

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb