SHKODER- Trafikimi dhe gjakmarrja po përdoren në mënyrë të padrejtë për të fituar azil. Shumë gra dhe vajza nga Shqipëria që kanë qenë viktima të trafikut të qenieve njerëzore kanë kërkuar azil në Britaninë e Madhe”. Kështu ka deklaruar dje nga Shkodra, ambasadori anglez në vendin tonë, Nicholas Cannon.
Diplomati i huaj mori pjesë në një takim të organizuar në kryeqendrën e veriut, i cili kishte në fokus luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Në takimin që u zhvillua në ambientet e universitetit “Luigj Gurakuqi” ishte e pranishme dhe zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea, përfaqësues të pushtetit vendor dhe studentë të këtij universiteti.
Gjatë takimit, Cannon tha se vitet e fundit është rritur numri i rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore. Sipas ambasadorit, ky fenomen mund të luftohet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të të gjithë faktorëve. “Problemi i trafikimit të qenieve njerëzore ka ekzistuar prej vitesh, por gjatë viteve të fundit është shtuar numri i personave të trafikuar. Shumë prej tyre kanë ardhur për të kërkuar azil në Britani. Kjo shkaktohet nga situata e rënduar politike, sociale dhe ekonomike e vendit të origjinës”, – u shpreh Nicholas Cannon. Ndërkaq, ai theksoi se personat që merren me shfrytëzimin e qenieve njerëzore meritojnë dënime të rënda.
Ndërsa, nuk e përjashtoi mundësinë që shumë gra bëjnë edhe sikur janë viktima të trafikimit dhe dhunës për përfitime financiare dhe azil në Britaninë e Madhe. Një tjetër problem që u diskutua në takimin e djeshëm ishte fenomeni i gjakmarrjes. Ambasadori Cannon pohoi se “shqiptarët po e përdorin si pretekst për të përfituar dokumente apo azil, por i them njëherë e mirë kujtdo që tenton që kryejë vepra të tilla të jashtëligjshme se e kanë të kotë, pasi çdo person që evidentohet që nuk është në gjak do të kthehet mbrapsht, qoftë ky individ apo familjar”. Sakaq, zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea tha se trafikimi i qenieve njerëzore është një fenomen që akoma ekziston, edhe pse Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në parandalimin e tij. Ndërkaq, Gjebrea theksoi se vitet e fundit është konstatuar që edhe vajza të arsimuara, sidomos në zonat e varfra të vendit, kanë rënë pre e trafikimit. Ajo kërkoi ndërhyrje edhe nga ndërkombëtarët.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
