Deputeti demokrat Agron Shehaj, në fjalën e tij në Kuvend ka bërë me dije se policia ka mbyllur biznesin e tij dhe ka sekuestruar ambientet ku operonte ky biznes, pa asnjë leje apo urdhër nga prokuroria, duke e quajtur këtë një akt hakmarrjeje dhe përpjekje për t’i mbyllur gojën.

Por pas kësaj deklarate, drejtuesja e Kuvendit Ermonela Felaj iu drejtua duke i thënë se kjo është një çështje në konflikt interesi dhe se “këtu jemi për hallet e njerëzve”.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe deputeti i PD Edmond Spaho, i cili i tha Felajt se me sjelljen e saj po degradon Kuvendin.

“Me sjelljen tuaj po e degradoni parlamentin, përveç veprimeve që bën vetë maxhoranca, duhet që dhe ju këtu të thyeni rregulloren. Me shumë shqetësim e pashë ndërhyrjen tuaj nga kolegut, që në asnjë rast nuk ngriti çështjen e bizneseve të tij, por çështjen e fjalës së lirë dhe presionin politik që i është bërë për të mbyllur gojë. Në vend t’i dilni në krah i kujtoni kodin e etikës. Tregoi që prokuroria nuk ka asnjë veprim të ndërmarrë ndaj tij. Ç‘bëni more, çështje kjo punë kështu? Pse kjo arrogancë kaq e madhe? Thirrini mendjes e tregohuni pak realisti”, tha Spaho.

“Ju garantoj që jam këtu për të zbatuar rregulloren dhe etikën, dhe janë të detyrueshme për t’u zbatuar, por më së pari shoh se janë të detyrueshme për t’u kuptuar dhe për t’u lexuar”, iu përgjigj Felaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb