Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në fjalën e tij në parlament, deklaroi se Ministria e Brendshme po punon për të pasur regjistër adresash në rang vendi.

Balla theksoi se Shqipëria do të jetë vendi i parë në Ballkan  që do të ketë një rrjet të tillë adresash.

Taulant Balla: Çdo ndërtesë të ketë kod unik, kjo lehtëson saktësinë e informacionit për adresat. Duhet të kemi regjistër unik adresash në rang vendi. Të gjitha institucionet do të referohen në këtë regjistër, nuk ka më që Kadastra të ketë adresat e veta, bashkia të vetat. Shikoni faqen “Adresari”, ku po punohet për regjistrim adresash. Shfrytëzoni këtë mundësi për të gjetur çdo adresë në Shqipëri. Nuk mund të jenë adresat e një vendi anëtar të BE-së më me të thëna “Jam te Pallati me Shigjeta, pak lart”. Çdo banesë do ketë kod 18-shifror. Referenca mbetet Google Maps dhe duke vendosur kodin, ajo të sjellë tek adresa e shtëpisë.

Do jemi vendi i parë në Ballkan që do të kemi adresa me kod unik. Shqipëria po bëhet vend i preferuar turistik dhe ndaj përmes këtij sistemi, turistët gjejnë më lehtë shtëpinë që kanë pronotuar. Çdo kontratë e re do të mbajë adresën e saktë, sipas regjistrit kombëtar të adresave. Tjetër objektiv është edhe emërtimi i rrugëve. Kjo gjë është detyrim i bashkive dhe ne kemi rritur penalitetet për bashkitë, nëse rruga nuk ka emërtesa. Me regjistrin kombëtar të adresave, përfitojnë gjithë qytetarët. Votojeni projektligjin, sepse populli do ua dijë për faleminderit.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Taulant Balla në seancë plenare:

Siç edhe ramë dakord në fillim të kësaj seance, ligji për gjendjen civile do të diskutohet dhe miratohet javën e ardhshme për të marrë në konsideratë në fakt një sugjerim të pranuar pa diskutim të ardhur nga kolegë të opozitës dhe për ta adresuar në seancën e ardhshme dhe për të gjetur formulën parlamentare të këtij ndryshimi. Sa i përket projekt ligjit për sistemin e adresave në Republikën e Shqipërisë nuk e fsheh edhe entuziazmin nëse do të ishte fjala e duhur të përfundimit të një kaosi 30 vjeçar sa i përket adresave në RSH.

Besoj që biem të gjithë dakord që ajo që duhej rregulluar ishte unifikimi dhe standardizimi i sistemit të adresave në të gjithë Shqipërinë, për të pasur mundësinë që çdo banesë, çdo ndërtesë në këtë vend të ketë një numër unik, çdo rrugë, çdo shesh, çdo bulevard të ketë një emërtesë.

Më lejoni që pikë së pari të falënderoj gjithë ata që kanë kontribuar qoftë  në aspektin e ekspertizës por mbi të gjitha edhe financiarisht për të ndihmuar Shqipërinë për të pasur një sistem të tillë. Kjo përpjekje, kjo ndihmë, kjo asistencë ka filluar prej shumë vitesh, prej vitit 2004 e më pas me rotacionin me ndryshimin e qeverisë, falë mbështetjes së Bashkimit Europian, OSBE, Këshillit të Europës, qeverisë së Norvegjisë, qeverisë së Austrisë  u paguan shumë para, miliona dhe u krijua në fakt një data bazë e parë të dhënash gjeografike, fotografime ortografike dhe u krijua, u mundua të krijohej një regjistër, po siç ishte zakoni i keq i juaji në pushtet, që i linit rrugët rrugëve, punët rrugëve, projektet rrugëve, latë edhe këtë punë.

U harxhuan mbi 10 milion euro, u bën fotografimet dhe rezultojë që në vende të ndryshme, fotografimet ishin bërë në mënyrë të ndryshme dhe këto nuk përputheshin dot dhe më e bukura është që në 201 vendosët që ta shkrinit fare këtë njësi dhe të gjitha të dhënat e përfituara t’i hidhnit në presh.

Kjo ka qenë kontributi juaj i vyer i pamohueshëm për të kontribuar për sa kohë ishit në qeverisjen tuaj të dytë, në Saliun e dytë sa i përket sistemit të adresave, çfarë është bërë më pas? Dhe këtu mund t’ju them që në bazë të agjendës dixhitale të Shqipërisë një strategji kjo ndër-sektoriale, filloj një punë e mirë, u hodhën do të thoja  atë shprehjen themelet para të këtij regjistri që do të unifikojmë me këtë ligj sa i përket mundësimit të përdorimit së pari nga të gjitha NJQVV të një sistemi unik për sa i përket menaxhimit të adresave dhe mbi të gjitha është të lehtësohen shërbimet publike për qytetarët dhe për bizneset. Puna filloj në vitin 2017 me angazhimin personal të Kryeministrit Rama, Ministrisë së Brendshme edhe në bashkëpunim me OSHE-në për të bërë të mundur identifikimin, popullimin dhe përmirësimin  dhe përditësimin e të gjitha të dhënave e të gjitha adresave në të gjithë territorin e vendit.

Nga kjo punë në regjistrin kombëtar të gjendjes civile ka sot 2.6 milion shtetas me adresë sipas standardit të përcaktuar ligjor dhe ky integrim ka lehtësuar ndjeshëm menaxhimin e të dhënave dhe ky integrim ka lehtësuar ndjeshëm menaxhimin e të dhënave dhe ka përmirësuar saktësinë e informacionit të adresave, por kjo nuk ishte e mjaftueshme dhe prandaj me ndryshimet e propozuara sot e që unë besoj e shpresoj t’i votoj dhe opozita do të shkojmë edhe më tej, do të shkojmë aty ku na duhej të ishim shumë vite më parë, por si është ajo shprehja e popullit më mirë vonë sesa kurrë të kemi një regjistër unik adresash në rang vendi, tek i cili do të kenë detyrimin dhe këtu e theksoj detyrimin ligjor që t’i referohen të gjitha institucionet dhe nuk ka më që Kadastra të ketë regjistrin e vetë, OSHE regjistrin e vet, Bashkia regjistrin e vet,

pra flasim për standarde të unifikuara  të formatit të adresave në rang vendi, regjistri aktual unik është në fakt në funksion dhe aktualisht kushdo prej jush, shkoni në faqen adresari.mb.gov.al dhe mund të shikoni punën e bërë  dhe t’ju them të drejtën jemi duke punuar për të pasur një ndërfaqe  të re më interaktive, e cila do të jetë gati për pak javë dhe do t’ju kërkoja qytetarëve që nëse kërkoni një adresë shkoni të adresari.mb.gov.al shfrytëzojeni këtë mundësi për të gjetur çdo lloj adrese. Mjaft më me atë historinë, unë e them shpesh alo te Pallati me Shigjeta, ktheu nga mbrapa aty është një kioskë në cep të kioskës është një hyrje pallati, nuk mund të jenë adresat e një vendi anëtarë të BE më kështu, por do të jenë si këto që po flas, çdo banesë do të ketë një kod, 18 shifror dhe përmes këtij kodi 18 shifror përmes edhe bashkëpunimit me aplikacionet orientuese pa dashur të bëjë reklamë  google mbete referenca, google maps p.sh me të cilët do bashkëpunojmë shumë shpejtë, vendos kodin dhe ajo të sjell te adresa e shtëpisë.

Nëse deri para, e kuptoj z. Gjekmarkaj që nënqesh në pritje të sajdisjes të secilit prej nesh me shkrimin e radhës, pro edhe adresa juaj z. Gjekmarkaj do të ketë një kod unik me 18 shifra dhe nëse para pak kohësh ishim një prej vendeve më të prapambetura në Ballkan me problematikën e këtij sistemi adresash, përfshirë këtu nëse doni edhe adresën e Kuvendit, tani më do të jemi një vend, vendi i parë në Ballkan sa i përket këtij sistemi dhe këtij regjistri unik adresash me kod unik. Prandaj të nderuar deputet dua ta ndaj me ju faktin që objektivat e këtij projekt ligji janë tepër të rëndësishme, sepse mbyllim një faqe të tejzgjatur të tranzicionit, por mos harroni asnjëherë që është një ndihmë e drejtpërdrejtë, shkurtim kohe për institucionet shtetërore, për të dërguar me postë një shërbim për bizneset, për qytetarët. Mos harroni asnjëherë, Shqipëria po bëhet një destinacion i rëndësishëm turistik, ku një pjesë e madhe e turistëve përmes shërbimeve  të qiramarrjes së apartamenteve apo atyre hoteliere, e kanë të vështirë të gjejnë shtëpinë që kanë prenotuar në AirBnB psh.

Përmes këtij sistemi vendosjes së kodit qoftë tek taksisti, qoftë tek  telefoni juaj inteligjent mbërrin një kohë shumë të shkurtër dhe pa asnjë problem në adresën që ke si destinacion.

Çdo kontratë e re për drita, ujë, hapje biznesi, do të përmbajë adresën e saktë unike sipas regjistrit kombëtar të adresave.

Dhe kjo do të na ndihmojë edhe në eleminimin e pasaktësive, të cilat shpesh herë shkaktojnë vonesa dhe kosto shtesë për qytetarët bizneset.

Një tjetër objektiv është dhe rregullimi i emërtimit të rrugëve, një hall i madh që duhet zgjidhur, ne kemi zgjidhur pjesën që lidhet me detyrimin, mendoj që ka ardhur koha që të zgjidhim dhe një pjesë tjetër që nuk është përgjegjësia direkte e Ministrisë së Brendshme, por zgjidhje e problemeve që lidhet me vendimmarjen për vendosjen e emërtesave të rrugëve që është një detyrim i bashkive.

Dhe do ta sqaroj dhe më më poshtë ku kemi rritur penalizimin ndaj kryetarëve të bashkive për moszbatim të ligjit, sa i përket detyrimit që kanë njësitë e qeverisjes vendore për emërtesën e rrugëve.

T’ju them të drejtën u ndjeva pak sa i habitur kur pashë në komision kur pati ndonjë deputet të opozitës që u çua t’u qante hallin kryetarëve të bashkive, edhe 95% prej tyre janë tanët.

Por kjo tregon dhe një lloj bashkëjetese në komunitet, dhe ne po rrisim penalitetet, i nderuar z.deputet, sepse kjo punë nuk është bërë. Unë nuk njoh formë tjetër të ushtrimit të forcës së ligjit përveçse forcimit të penaliteteve. Mua më vjen mirë që ju i respektoni po aq sa ne kryetarët e bashkive dhe ky është një përmirësim i qasjes tuaj ndaj institucioneve të pushtetit vendor. Dhe e përshëndes këtë, dhe ju si një qytetar i Durrësit besoj e pranoni faktin që kryetarja jonë e Durrësit është një prej modeleve më të mira të qeverisjes vendore.

Kodi unik do të ndihmojë qytetarët të referojnë adresat e tyre lehtësisht, ky kod sikurse thashë është alfanumerik e do të përmbajë tetë element kryesorë që referojnë adresën,  pastaj duke përfshirë aty brenda  bashkinë, njësinë administrative, qytetin, fshatin,  do të ketë brenda kodin postar, bulevardin, rrugën, sheshin numrin e ndërtesës dhe numrin e apartamentit. Brenda këtij kodi më në fund i kemi të gjitha në një, kjo do të lehtësojë sikurse thashë orientimet dhe gjetjen e adresave në gjithë territorin e vendit.

Propozimet tona janë 100% bio, ndikime pozitive, tek qytetarët. Sot është testi juaj për të votuar këtë projektligj, sepse  në fund të fundi tata që përfitojnë janë njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi të cilët përfitojnë akses më të shpejtë e më të lehtë në shërbimet shëndetësore, në shërbimet arsimore, në ato kulturore, në ato sportive, dhe duke shmangur humbjet e kohës, kostot e tjera të një sistemi adresash jo të plotë. Shembull po marr rastin e një qytetari që kërkon të marrë një shërbim shëndetësor në një qytet metropol si Tirana për të gjetur qendrën e tij shëndetësore, ka kodin e vet.

Po ashtu, të dhënat e sakta të adresave do të ndihmojnë institucionet arsimore të planifikojmë më mirë diçka që për mua është detyrë primare – rritja në një standard tjetër e sigurisë në shkolla dhe ky sistem i ri do të na ndihmojë më mirë për të planifikuar shpërndarjen e nxënësve në shkolla dhe po ashtu për të përmirësuar sa të mundemi edhe transportin e nxënësve nga shkolla në shtëpi e nga shtëpia në shkollë.

Shërbimet e sigurisë do të kenë më shumë mundësi të planifikojnë dhe të realizojnë operacione më efektive. Se fundmi, kemi pasur një operacion, tanimë nuk është më sekret, t’ju them që ishte tepër e vështirë, ose më mirë, nga informacioni që kishim, policia ka shkuar në adresa jo të duhura, nga ato të deklaruarat

Shërbimet komunale, gjithashtu përfitojnë e po ashtu do të përfitojnë edhe bizneset, të cilat do të përfitojnë një kuadër të qendrueshëm dhe të besueshëm për aktivitetet tregtare duke lehtësuar ndjeshëm proceset e shpërndarjes të mallit, logjistikës, do kursejnë kohë, koha është parà.

Sistemi i ri do ndihmojë në tërheqjen e investimeve dhe pa dyshim ka kontributin e vet në rritjen ekonomike të vendit, një territor i mirorganizuar, sipas të gjithë elementëve fizikë, tabelat e emërtimit aty ku duhet, të numërtimit, përbën infrastrukturën bazë të arritjes në destinacion të të gjithë shtetasve, edhe të huaj, që kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë.

Sot Shqipëria është destinacion turistik. 14 milionë turistë pret Shqipëria këtë vit. Mendoj që unë e Mirela mund ta kemi shifrën jo të saktë sepse me këtë ritëm do ta tejkalojmë.

Ata që vijnë tashmë, pjesa e më e madhe akomodohen në banesa më qira, të cilat është shumë e vështirë t’u gjesh adresën me variantin e vjetër. Eshtë më mirë të vendoset një kod.

Çdo kryetar bashkie që nuk përditëson adresat e bashkisë së tij në kohë, do të përballet me sanksione të natyrës administrative. Për çdo segment të paemërtuar, tashmë janë 10-fishuar gjobat, për të garantuar që kjo të mos dështojë si të tjerat, ne kemi ndryshuar sistemin e gjobave dhe kemi vënë gjobë për çdo rrugë të paktën!

Duke krijuar një sistem të unifikuar dhe të standardizuar adresash synojmë të përmirësojmë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, të lehtësojmë operacionet e bizneseve dhe të forcojmë kapacitetet e institucioneve shtetërore.

Ky p/ligj është, qoftë një përmirësim teknik, por mendoj se është një angazhim solemn, serioz, për një Shqipëri më të mirë, më të organizuar, është pjesë e vizionit tonë “Shqipëria 2030”, pjesë e angazhimeve tona për ta bërë Shqipërinë anëtare të BE brenda vitit 2030.

Tani ju votën mund ta jepni për këtë ligj i cili nuk ka politikë fare brenda. Edhe mos ua qani hallin kryetarëve të bashkive, të cilët, po nuk e bënë punën, për këtë të paktën, do të marrin gjobën.

Votojeni këtë p/ligj, edhe ti deputetja e Sarandës, sepse populli i Sarandës do të ta dijë për faleminderit që çdo banesë e hotel atje, do të ketë adresën! Shumë faleminderit.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb