TIRANË

Në Ditën Ndërkombëtare të Talasemisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale çeli fushatën e dhurimit vullnetar të gjakut, nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vlerësoi mjekët dhe infermierët e qendrave shëndetësore të Tiranës, të cilët ishin dhuruesit e parë, në ditën e çeljes së fushatës së dhurimit të gjakut. Manastirliu tha se pavarësisht një viti jo të lehtë si ky i pandemisë, janë siguruar nevojat për gjak, për të gjithë ata që kanë pasur nevojë.

“Ne kemi kaluar një periudhë jo të lehtë, një vit sfidues, si viti i pandemisë. Por ia kemi dalë për të siguruar nevojat për gjak për të gjithë ata të cilët kanë pasur nevojë. Qoftë përsa i përket personave të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme të hemoglobinopative dhe qoftë përsa i përket atyre personave të cilët kanë patologji të tjera. Por ajo çfarë është e rëndësishme është që në këto katër muaj të parë të këtij viti, ne kemi arritur nivelet e vitit 2019, që është viti më i mirë historik përsa i përket dhurimeve vullnetare të gjakut”, tha Manastirliu.

Duke bërë thirrje të gjithë qytetarëve për të dhuruar gjak, Manastirliu tha se me zgjerimin e rrjetit të dhuruesve vullnetarë të gjakut, do të kemi qëndrueshmëri përsa i përket rezervave të gjakut.

“Sot hapim fushatën e dhurimeve vullnetare dhe dua të ftoj të gjithë ata të cilët janë dhurues vullnetarë dhe që kanë hyrë në zinxhirin e dhuruesve, por edhe qytetarë të tjerë, për t’u bërë pjesë e kësaj fushate, e cila do të jetë me intensitet në këto muaj, për të siguruar rezervat e mjaftueshme për gjak gjatë verës”, tha Manastirliu.
Megjithë vështirësitë, numri i dhurimeve në katër muajt e parë 2021 është në nivelin e vitit 2019, që është viti më i mirë që ka patur Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, në rang kombëtar, me rreth 11.8 % për 1 mijë banorë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb