Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve i kërkoi Partisë Demokratike të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm përpara se të marrë një vendim për ta regjistruar këtë forcë politike në zgjedhjet 14 majit.
Në dosjen e dokumentacionit të kësaj force politike përfshihet edhe një “deklaratë e angazhimit solemn e kryetarit të partisë politike’, që rezulton të jetë firmosur nga Enkelejd Alibeajt.
Gjatë seancës së sotme të KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha se kjo deklaratë nuk është kompetencë por përgjegjësi personale dhe si e tillë duhet firmosur nga vetë Lulzim Basha.
“Çdo kompetencë tjetër e kryetarit të partisë mund të delegohet te të tretë, sa kohë ligji nuk përcakton kufizime. Deklarata e kryetarit të partisë nuk është kompetencë, është përgjegjësi dhe si përgjegjësi nuk delegohet. Për analogji, detyrimi për të kryer shërbimin ushtarak nuk mund të delegohet. Duke qenë përgjegjësi, është personale. Jo më kot ligjvënësi e ka përcaktuar si të tillë, përgjegjësi. Kompetenca delegohet, përgjegjësia jo”, tha Celibashi.
Ngërçi tani është se çfarë do të ndodhë pas 48 orësh, kur Celibashi ka kërkuar që deklaratën ta firmosë Lulzim Basha dhe ky i fundit ka dhënë dorëheqjen.
Gjasat janë që grupimi i Bashës të shkojë sërish me të njëjtin dokument të firmosur nga Alibeaj me pretendimin se Basha ka dhënë dorëheqjen dhe më pas do të jetë në dorë të Celibashit nëse do ta pranojë apo jo argumentin e tyre.

