Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka nisur vizitat në terren për të ndjekur nga afër mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Në ndalesën e tij të parë, Celibashi vizitoi një qendër votimi në njësinë administrative të Vorës.
Vizita vjen pas një konference për shtyp të mbajtur më herët gjatë ditës, ku kreu i KQZ dha përditësimet më të fundit mbi pjesëmarrjen dhe ecurinë e votimeve në rang vendi.
Gjatë konferencës, ai paralajmëroi për domosdoshmërinë e respektimit të rregullave zgjedhore, duke theksuar se çdo shkelje do të trajtohet sipas ligjit.
Celibashi shprehu shqetësim për disa raportime të hershme që lidhen me parregullsi në disa qendra votimi, si dhe për praninë e kandidatëve për deputetë pranë qendrave të votimit, një veprim i ndaluar nga Kodi Zgjedhor.
Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së integritetit të procesit dhe qetësisë gjatë ditës së votimit.
