Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar sërish lidhur me sulmin digjital dhe mbylljen masive të faqeve të zërave kritikë ndaj qeverisë në Instagram, duke bërë me dije se Partia Demokratike Evropiane (EDP) i është drejtuar zyrtarisht kompanisë META për të kërkuar sqarime të menjëhershme dhe llogaridhënie në nivel ndërkombëtar.
Sipas Koçekut, pas raportimit të bërë për bllokimin e llogarive të deputetit Agron Shehaj, aktivistit Gent Progni dhe dhjetëra profileve të tjera që mbështesin protestën popullore, eurodeputeti Sandro Gozi ka kërkuar që kompania teknologjike të raportojë përpara Komisionit Evropian mbi këtë ngjarje që cenon drejtpërdrejt lirinë e shprehjes dhe standardet demokratike.
Më tej, deputetja citon eurodeputetin Gozi se një situatë e tillë nuk mund të trajtohet thjesht si një defekt apo problem teknik. Për këtë arsye, i është kërkuar META-s të ndërhyjë sa më parë, të sqarojë arsyet e sakta të mbylljes së këtyre llogarive dhe të garantojë transparencë të plotë mbi atë që ka ndodhur.
Në përmbyllje të reagimit të saj, Koçeku e cilësoi këtë akt censure si të patolerueshëm për një vend që synon integrimin në Bashkimin Evropian, duke e krahasuar me praktikat e periudhës së diktaturës. Ajo nënvizoi se mbetet e vendosur për të përdorur çdo mekanizëm institucional, si në nivel vendas ashtu edhe evropian, për të mbrojtur fjalën e lirë sa herë që ajo të cenohet.
