Ish-presidenti Bamir Topi është paraqitur sot në SPAK, ku do të pyetet për çështjen e 21 Janarit.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se ish-presidenti do të pyetet si person në dijeni për protestën në fjalë, që çoi në vrasjen e 4 protestuesve më 2011.
Kujtojmë që në librin “Nocturn” të botuar prej tij, Bamir Topi tregonte detajet nga ngjarja e 21 janarit.
“Ka qenë data 20 janar, kisha organizuar në Pallatin e Brigadave një takim me trupin diplomatik dhe natyrisht isha shumë i kujdesshëm, por informacionet që vinin ishin të tilla sa unë jam shkëputur nga leximi. Ua kam bërë me dije edhe trupit diplomatik. Informacionet merreshin hap pas hapi dhe palët politike kishin një lloj ekzibicioni që të shfaqen me gjithë virulencën e tyre. Kryetari i Shtetit në çdo rrethanë së bashku me kryeministrin është destinacioni i parë i informacionit. Kishte arritur pika e konfliktualitetit në maksimum.
Në atë mbledhje me trupin diplomatik u kam bërë thirrje forcave politike që të ulin tensionet dhe të gjejnë kurajo për të dialoguar dhe sikurse u pa ditën e nesërme, askush nuk e dëgjoi. Kur në zyrën e kreut të Shtetit, takimet janë intensive në momente të tilla kur paralajmërojnë një trazirë. Në historinë e tranzicionit shqiptar, 21 janari është futur në kalendarin historik si ngjarja më traumatike dhe e dhunshme. Së pari është dimensioni politik dhe së dyti, dimensioni juridik. Dimensioni tjetër ka të bëjë me atë çka ndodhi në familjet e të prekurve nga kjo lloj tragjedie. Kam kontaktuar edhe me njerëz të mediave, pasi është mediator shumë i rëndësishëm qoftë në perceptimin e situatën, qoften në përçimin e mesazheve.
Ajo ishte një demonstratë, e cila nisi si paqësore që precipitoi si një protestë e dhunshme. Ajo që unë nuk kam pranuar tek kjo protestë, është kalimi i limiteve, pra tejet e dhunshme dhe e dyta, që unë nuk e kam kuptuar, ka qenë braktisja e kësaj proteste nga njeriu që duhet ta drejtonte politikisht këtë protestë. Zt. Rama i doli zot kësaj proteste dhe në fund i la protestuesit të dhunojnë dhe iku dhe në sytë e mi ishte një braktisje totalisht e pa justifikuar e saj.
Gjithmonë një drejtues politik i orienton njerëzit dhe brenda asaj turme ka njerëz që administrojnë vetveten dhe braktisja në mënyrë të qëllimshme, është përgjegjësi direkte e zt.Rama. situata precipitoi në mënyrë dramatike. Komunikimin e parë e kisha një natë përpara, komunikimi i dytë është momenti kur u ekzekutuan qytetarë, kam dënuar dhunën, kam bërë thirrje për drejtësi dhe qetësi. Berishës në atë kohë kryeministër nuk i ka pëlqyer ai momenti kur unë flas për ngjarjen në bulevard, unë flas për vrasjet në Bulevard. Unë nuk specifikova që vrasja kanë ndodhur në Kryeministri, vrasjet ndodhën në Bulevard”, shprehej Topi në kohën e botimit.
