Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, i ftuar në Programin e Drekës në News 24 foli për situatën aktuale politike në Shqipëri. Duke folur për çështjen “Beleri”, Dule tha se kjo çështje është e sajuar nga kryeministri Edi Rama me policinë e Himarës, në bashkëpunim me Prokurorinë vendore. Sipas tij, në bashkinë e jugut tjetërsohen toka në favor të klientëve të kryeministrit.

“Çështjen Beleri e sajoi Rama me policinë në Himarë dhe me prokurorinë vendore dhe ia dhuruan këtë çështje SPAK-ut. Qëllimi ka qenë politik. Është një rast i errët. Në Bashkinë e Himarës tjetërsohen tokat në favor të klientelës së kryeministrit. Rasti më flagrant është ai i ish-kryetarit të Himarës dhe gruaja e ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Të gjithë duhet të kenë qëndrim të drejtë dhe jo të shprehemi sipas interesave. Duhet të vëmë në krye të punëve Komisionin e Venecias”, tha Dule.

Më tej, Dule nënvizoi se varfëria në vend është ulur këmbëkryq.

“Vendi në tërësi është në gjendje kritike. Jemi më të varfrit në Europë. Edhe Bosnja na e ka kaluar me një pikë. Një video e bërë nga disa influencer, tregonte se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë 30 përqind më të larta se në Britaninë e Madhe. Shëndetësia nuk është falas. Kemi shëndetësi të keqe, ilaçet janë të paefektshme. Duhet të kemi pensione mbi 200 euro. Duhet garantuar minimumi jetik”, u shpreh Dule.

Duke folur për drejtësinë, Dule vlerësoi se reforma e re duhet të jetë larg duarve të politikës.

“Drejtësia duhet të jetë larg duarve të politikës. Nuk mundet që një person nga Gjirokastra të vijë në Tiranë që të kërkojë drejtësi ose nga veriu të vijë sërish në Tiranë. Protagonizmi është për politikanët dhe drejtësia është e heshtur. Nuk është meritë e madhe, kaq raste e aq raste. E papranueshme që Berisha u mbajt në “arrest shtëpie””, deklaroi ai.

Vangjel Dule shtoi se sulmet ndaj drejtësisë janë anormale.

“Sulmet ndaj drejtësisë janë anormale. Të gjithë duhet të jemi të barabartë para ligjit. Edhe në rastin e Belerit, ne ishim të kujdesshëm. Më e rrezikshmja është kur thonë “hë mo se grek është, mirë ia bëjnë”. Kur flasin kështu në rrjetet sociale, kjo është e rëndë, pasi minoritarët nuk mund të trajtohen në këtë formë. Këtyre fenomeneve u duhet prerë rruga njëherë e mirë”, tha Dule.

Vangjel Dule pranoi se emri i tij do jetë në listën e sigurt të PD-së, si kandidat për deputet.

“Është parim që do ndjekim, që kryetarët e partive politike parlamentare të jenë në listë të sigurt. Duka nuk dëshiron të jetë kandidat dhe është një zgjedhje. Ne kemi një sfidë, që të realizojmë një proces zgjedhor të lirë e të ndershme”, përfundoi Dule.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: