TIRANE- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar sot për çështjen “Doshi”, për të cilën dy deputetë janë vënë pas hekurave. Ambasada shpjegon se reagimi i saj vjen pas interesimit të madh të mediave ndërsa kërkon që organet e drejtësisë Prokuroria po ashtu edhe Gjykata të garantojnë një proces të rregullt.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara rithekson deklaratën e saj të mëparshme, e cila bën thirrje që Prokuroria dhe institucionet gjyqësore të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të zbatuar ligjin dhe për të siguruar një proces të rregullt”
Ambasada thekson edhe njëherë se mbështet dhe nxit të gjitha partitë në Shqipëri që të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale.
“Ne vazhdojmë të nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive, si dhe mbështesim përpjekjet e kuvendit për të hartuar legjislacionin në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014”, thuhet në deklaratë.
(ma.ar/BalkanWeb)
