Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) u mblodh sot për të diskutuar çështjet e rendit të ditës, ndërsa në momentin e fundit u përfshi edhe kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për procedimin disiplinor të gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka, e cila nuk ka deklaruar në Formularin e Dekriminalizimit një dënim të saj në Greqi për falsifikim.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi se mbledhja po mbahet me dyer të mbyllura dhe se vendimi pritet të dalë vetëm pasi të dëgjohen të gjitha palët, përfshirë gjyqtaren Gjoka dhe përfaqësuesit e Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme.

Prokuroria e Përgjithshme ka konstatuar gjatë hetimit se dokumenti i dënimit të Gjokës është autentik, dhe disa ditë më parë ka dërguar dosjen për procedim disiplinor në KLGJ. Vendimi i KLGJ-së do të përcaktojë nëse Gjoka do të ndalohet përkohësisht nga ushtrimi i detyrës së gjyqtares dhe nëse seanca dëgjimore do të mbahet me dyer të mbyllura apo të hapura për mediat.

Avokati Genc Gjokutaj, duke u referuar standardeve të vendosura në raste të tjera të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë deklaruar dënime jashtë shtetit, thekson se në këtë precedent edhe Gjoka mund të përballet me largimin nga sistemi i drejtësisë. Ndërkohë, SPAK vijon hetimet penale për falsifikim të Formularit të Dekriminalizimit, duke pritur dokumentacionin zyrtar nga autoritetet greke për të avancuar më tej çështjen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: