KOSOVË- Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka folur sërish rreth kandidaturës së tij për president të vendit.
Gjatë një komunikimi për mediat ka thënë se tërhiqet nga kandidatura e tij, në rast se partitë politike do të propozojnë ndonjë emër jopartiak për postin e të parit të shtetit.
“Kryeministri e ka vendosur njëfarë kornize. Të mos jetë drejtpërdrejt i partive politike ky president nëse vendoset konsensual, pra të mos jetë drejtpërdrejt prej kryesive. Për shembull, të mos jetë nënkryetari i tyre apo kështu shumë i afërt, që vjen prej rangjeve, strukturave të partive”, ka deklaruar Konjufca.
Gjithashtu Konjufca ka shtuar se nëse diskutohet për president partiak atëherë kjo duhet të bëhet me marrëveshje politike.
“Deri tani nuk është hapur ky opsion për president partiak. Deri tash asht hapur për president jo-partiak. Nëse është jopartiak, unë jap dorëheqje prej kandidaturës time. Jap dorëheqje sepse po gjendet një i të gjithëve, kush jam unë me mbyllë rrugë”, ka deklaruar ai.
