Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reflektuar mbi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, gjatë një komunikimi me gazetarë shqiptarë nga diaspora. I pyetur se çfarë do të kishte bërë ndryshe nëse zgjedhjet e 11 majit do të ribëheshin, Berisha pranoi se mund të ishin bërë disa ndryshime në përzgjedhjen e kandidatëve dhe në mënyrën e angazhimit elektoral.

“Nëse zgjedhjet do të ribëheshin, parë në retrospektivë, do të kishte ndryshime në kandidatura. Mund të kishte angazhime më të gjera,” tha Berisha. Megjithatë, ai vlerësoi programin e PD-së si më të mirin që Shqipëria ka pasur ndonjëherë.

Sipas tij, fushata e PD-së u mbështet në një ekspertizë të nivelit më të lartë ndërkombëtar. “Ekspertiza për këto zgjedhje ka qenë ajo e ekipit fitues të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Edhe në vitin 2005 kam pasur ekspertizën e fituesve të zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Në doktrinën elektorale besohet se fitimtarët e zgjedhjeve presidenciale në SHBA janë ekspertët më të mirë elektoralë.”

Berisha u shpreh se, pavarësisht punës së madhe të bërë, zgjedhjet u zhvilluan në një klimë që ai e konsideroi si farsë, duke deklaruar se “vota vdes pa hyrë në kuti”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb