Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, rikthehet edhe njëherë në pikën zero të përballjes me drejtësinë. Gjykata e Apelit vendosi sot të prishë vendimin e Shkallës së parë dhe të rikthejë çështjen në Gjykatën e Posaçme.

Por, çfarë do të ndodhë tashmë me ish-ministrin Tahiri?
Gazetarja Klodiana Lala thekson për “BalkanWeb” se tashmë fillon një etapë e re për ish-ministrin dhe përballjen e tij me drejtësinë, që krijon jo pak problematika sa i përket karrierës së tij politike.

Siç raporton gazetarja Lala, në momentin që Gjykata e Posaçme e Apelit merr vendimin, automatikisht dosja voluminoze e Tahirit rikthehet në Gjykatën e Shkallës së Parë.

Më pas, caktohet trupa e re që do të shqyrtojë dosjen dhe Prokuroria do të vijojë, duke kërkuar dënimin e Tahirit për akuzën e trafikut të drogës në kuadër të grupit kriminal “Habilaj”. Ndërkohë, Tahiri do të përballet me Gjykatën e Posaçme në mënyrë të përshpejtuar, ku nëse nuk paraqiten problematika gjatë procesit, do të duhen jo më shumë se 3 apo 4 seanca.

Mund të ndodhë në finale që të jetë vetë Prokuroria, e cila të tërhiqet nga akuza, vetë Gjykata të japë dënim, ose Gjykata të japë pafajësi. nëse merr pafajësi, mendohet se nuk do të shkohet sërish në Gjykatën e Apelit. Pra, përballja e ish-ministrit me drejtësinë rifillon nga e para.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb