Në rast të një aksidenti rrugor, qytetarët duhet të ndjekin një sërë hapash ligjorë për të garantuar drejtësi dhe për të përfituar dëmshpërblimin që u takon. I ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, avokati Alban Duraj sqaroi rrugën që duhet të ndiqet në këto situata.
Sipas avokatit Duraj, veprimi i parë pas një aksidenti është lajmërimi i menjëhershëm i policisë rrugore. Ajo mbërrin në vendngjarje për të bërë aktin e konstatimit, duke verifikuar personat e përfshirë, duke thirrur ambulancën nëse ka të lënduar, dhe duke siguruar transportimin e tyre në spital.
Më pas, në vendin e ngjarjes vjen eksperti rrugor, i cili dokumenton detajet teknike të aksidentit, si gjurmët e frenimit apo pozicionet e mjeteve. Kjo dosje më pas referohet në prokurori, ku fillojnë hetimet përkatëse.
“Në çdo rast të një aksidenti, policia rrugore referon dosjen në prokurori,” shpjegon Duraj. “Pranë drejtorisë së policisë rrugore ndodhen edhe oficerët e policisë gjyqësore, të cilët ndjekin hetimet.”
Palë në proces janë shoferi që ka shkaktuar aksidentin dhe pala e dëmtuar. Edhe pse prokuroria merret me hetimet, ajo ka një rol të ngjashëm me atë të gjykatës, pasi merr në konsideratë edhe pretendimet e palëve.
Nëse njëra palë konteston aktin e ekspertimit teknik, mund të kërkohet një riekspertim.
Në rastet kur dëmi nuk i kalon 30 mijë lekë, dhe palët bien dakord mes tyre, aksidenti mund të mos i referohet Prokurorisë. Mjafton që të plotësohet një formular, të bëhen disa fotografi të mjeteve dhe të vendoset fajësia, nëse njëra palë e pranon atë pa ndërhyrjen e policisë.
Avokati thekson se kompanitë e sigurimeve ofrojnë dëmshpërblim jo vetëm për drejtuesit, por edhe për pasagjerët e përfshirë në aksident, pavarësisht nëse janë ose jo të siguruar.
Pasi të përfundojë hetimi dhe të përcaktohet përgjegjësi ligjore, pala e dëmtuar ka të drejtë të marrë dosjen dhe dokumentet përkatëse, të cilat dërgohen në kompaninë e sigurimit të palës përgjegjëse. Më pas, kompania dëmshpërblen qytetarin për dëmin e shkaktuar.
(BalkanWeb)
