Gazetari Reldar Deda, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, komentoi situatën aktuale në Partinë Demokratike, duke theksuar se opozita ndodhet në një moment të vështirë politik dhe organizativ.

Sipas Dedës, PD nuk është aktualisht në nivelin që duhet të ishte si forca më e madhe opozitare në vend, ndërsa shtoi se hapja e partisë nuk duhet parë thjesht si çështje numrash.

“PD është në një fazë të vështirë, nuk është në nivelin që duhet të ishte si forca më e madhe opozitare. Hapja e PD nuk është tek numri, por duke futur elementë të spikatur të shoqërisë, që kanë vokacion dhe gravitet, si në arsim apo në shëndetësi”, u shpreh ai.

Gazetari ndaloi gjithashtu te funksionimi i Këshillit Kombëtar të partive politike, duke deklaruar se ky forum nuk po ushtron rolin që duhet të ketë.

“Sa i përket Këshillit Kombëtar duhet të jemi realistë, sepse nuk e kryen funksionin që duhet të ketë. Kryetarët e partive janë mbi Këshillin Kombëtar, ky është paradoksi”, deklaroi Deda.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb