I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, diplomati Arben Çejku komentoi krizën institucionale në Kosovë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që ka lënë një afat 30-ditor për zgjidhjen e ngërçit politik.

Sipas tij, situata ka marrë përmasa qesharake dhe përfaqëson një tallje me votën e qytetarëve. Çejku theksoi se vendimi i GJK është përpjekje për të vënë nën presion partitë politike, por pa një qartësi të plotë mbi afatet dhe zbatimin e vendimit.

Ai e cilësoi zgjidhjen të vështirë, duke theksuar se si pozita ashtu edhe opozita po ndjekin llogari elektorale në vend të dialogut institucional.

Arben Çejku, ish-ambasador: E gjitha kjo që ka ndodhur në Kosovë ka qenë një sagë qesharake, duke shkuar deri në tallje publike ndaj votës së qytetarëve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese synon ta bllokojë degradimin e mëtejshëm të situatës. Nuk e di sesa fuqi ka GJK. Kushtetuesja ka dhënë afat 30-ditor dhe nuk tregon se kur fillon afati 30-ditor. Është e paqartë se kur fillon afati. Është përpjekje për të vënë në presion partitë politike dhe liderët e tyre për të tejakaluar krizën. Liderët politikë në Kosovë e dinë si dilet nga kriza. Liderët politike kanë dashur që të përfitojnë nga kjo periudhë për zgjedhjet lokale.

Kalkulimet bëhen për zgjedhjet lokale dhe Kuvendin e Prishtinës e kanë lënë gati si parlament lokal. Zgjidhja është e vështirë. Opozita kërkon votim të hapur, Kurti thotë se votimi duhet të jetë i fshehtë. GJK e ka lënë të kuptohet se votimi i fshehtë nuk është i domosdoshëm. Uroj të zgjidhet sa më shpejt. Tendenca për të bërë dhe një grup zgjedhjesh të përbashkëta mund të jetë. Pakënaqësia e Kurtit që nuk mori shumicë absolute e bëri të zvarritet procesi. Edhe opozita është treguar kokëfortë, për të mos krijuar strukturë rivalizuese ndaj Kurtit. Të urojmë më të mirën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb