Në harkun kohor të 3 muajve të fundit, Shkodra është kthyer në epiqendrën e lajmeve që kanë një emërues të përbashkët, zbulimin e elementëve që ose kanë lidhje me terrorizmin dhe ISIS, ose i fryjnë me shkak një ere që synon të tensionojë harmoninë mes komuniteteve fetare në këtë qytet, raporton “BalkanWeb”.
Dhe disa fakte të renditura kronologjikisht e vërtetojnë më së miri këtë konstatim. Në nëntor 2016 katër persona u arrestuan në Shkodër si të dyshuar për terrorizëm. Nga informacione sekrete u mësua se Ergys Fasllia, berber, Bekim Protopapa, mjek, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani, të gjithë besimtarë myslimanë, po përgatisnin një atentat për kohën kur do të luhej ndeshja Shqipëri-Izrael, ndeshje e cila ishte planifikuar të zhvillohej më 12 nëntor në stadiumin “Loro Boriçi”.

Ka qenë një raport i mbërritur nga shërbimi sekret izraelit, MOSSAD, që vuri në dijeni autoritetet shqiptare të cilat arrestuan menjëherë të dyshuarit dhe parandaluan një ngjarje tepër të rëndë.
Hetimet nxorrën në dritë fakte të reja, sipas të cilave të arrestuarit kanë qenë frekuentues të xhamisë ilegale të Unazës së Re në Tiranë dhe aktivë në thirrjet fetare të bëra brenda Gjykatës së Krimeve të Rënda gjatë procesit ndaj imamëve të vetëshpallur. Hetimet gjithashtu zbuluan se këta shtetas, kishin vënë kontakte me Lavdrim Muhaxherin, i cili u kishte dhënë porosi të zbatonin në Shkodër një skenar të ngjashëm terrori me atë “Bataclan” në Francë.
Në dhjetor të vitit të kaluar një tjetër debat fetar shpërtheu në Shkodër, një fill i rrezikshëm, që nëse zgjatet do rrezikojë seriozisht paqen dhe harmoninë që komuniteti mysliman dhe ai katolik i Shkodrës pretendojnë se e kanë mes njëri-tjetri. Gjithçka nisi kur për diskutim, u shtrua sërish një pyetje që thuajse ishte venitur prej vitit 1997, nëse monumenti i kulturës kishë-xhami që ndodhet në kalanë “Rozafa” iu përket të dy komuniteteve apo vetëm njërit.

Kisha katolike nisi t’i bëjë publike ceremonitë dhe meshat fetare të përvitshme të 26 dhjetorit, siç ndodhi edhe vitin e kaluar në kremtimin e meshës për Shën Shtjefnin gjë e cila më pas solli edhe reagimin, mospranimin dhe përplasjen në largësi përmes deklaratave të drejtuesve të dy komuniteteve fetare. Në reagimin e tij Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari do ta quante provokim të rëndë meshën e kremtuar në kalanë “Rozafa” dhe përsëriti në disa intervista rradhazi se objekti ishte dhe do të mbetej një xhami, pjesë e trashëgimisë shpirtërore e myslimanëve.
Pa i hyrë debatit se kush prej dy komuniteteve ka të drejtë, i dyshimtë është fakti se kush po i fryn këtij debati dhe për çfarë qëllimi, raporton “BalkanWeb”. Sepse rikthimi i jehonës në media për këtë çështje le të kuptosh se nxitësit e frymës së përçarjes fetare në Shkodër ia kanë arritur deri diku qëllimit.

Një tjetër ngjarje, e shënuar po në Shkodër, shokoi sëfundmi opinionin publik. Dhe jo pa shkak. Mësuesja, Emine Alushi, e kapur “mat” nga një kamera e fshehtë, u bënte propagandë nxënësve për ISIS-in. Sipas asaj ç’ka dëshmohet në video mësuesja u thoshte nxënësve se ISIS nuk është i keq, as organizatë terroriste por një grupim i mirë që sipas saj po mbronte popullin e Sirisë e Irakut. Madje sipas saj edhe Bin Ladeni ka qenë një lider i mirë.
Të gjitha këto ngjarje kanë ndodhur në më pak se 3 muaj dhe janë vetëm ato çfarë media ka zbuluar. Dyshime të arsyeshme, edhe zyrtare, ngrenë pretendimin se Shkodra, e lënë deri diku në hije nga autoritetet policore dhe ato sekrete, po tërhiqet në një spirale të rrezikshme, nga një grupim që qartësisht ka tendenca të theksuara të ekstremit fetar. Po çfarë po ndodh në Shkodër dhe deri kur? Është një pyetje që pret një përgjigje më të qartë e shteruese, jo nga media por nga autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri.
(BalkanWeb)
