Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka urdhëruar zgjerimin dhe modernizimin e prodhimit të raketave të vendit gjatë vitit të ardhshëm, si dhe ndërtimin e fabrikave të reja të municioneve për të përmbushur kërkesën në rritje të forcave të armatosura, raportuan mediat shtetërore. Gjatë një turneu inspektues në disa fabrika municionesh, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë shtetërorë, Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA) njoftoi se Kim u kërkoi këtyre objekteve të përmbushin “nevojat e ardhshme për funksionimin e forcave raketore dhe të artilerisë së shtetit”.
Sipas KCNA-së, Kim theksoi se është e domosdoshme të “zgjerohet më tej kapaciteti i përgjithshëm i prodhimit” për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të ushtrisë së Phenianit, duke urdhëruar njëkohësisht ndërtimin e fabrikave shtesë të municioneve.
“Sektori i prodhimit të raketave dhe predhave është me rëndësi thelbësore për forcimin e parandalimit të luftës,” citohet të ketë thënë Kim Jong Un. Koreja e Veriut ka intensifikuar ndjeshëm testimet e raketave vitet e fundit. Analistët vlerësojnë se këto veprime synojnë përmirësimin e aftësive të goditjeve precize, sfidimin e Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, si dhe testimin e armëve përpara një eksporti të mundshëm, përfshirë edhe drejt Rusisë.
Vizita e Kim në fabrikat e municioneve u raportua vetëm një ditë pasi media shtetërore njoftoi se ai kishte inspektuar një fabrikë nëndetësesh bërthamore, ku u zotua të kundërshtonte atë që e quajti “kërcënim” nga zhvillimi i nëndetëseve bërthamore të Koresë së Jugut. Gjatë asaj vizite, Kim u njoh gjithashtu me kërkime mbi “armë të reja sekrete nënujore”. Po ashtu, sipas raportimeve, ai mbikëqyri edhe një lëshim provë të një rakete të re anti-ajrore me lartësi të madhe dhe rreze të gjatë veprimi mbi Detin e Japonisë.
