TIRANE – Nëse jeni një nënë e re, që po ushqeni me qumësht gjiri të voglin tuaj duhet të keni parasysh se ajo çfarë konsumoni ndikon drejtpërdrejt në qumështin tuaj dhe si rrjedhojë edhe te foshnja. Më poshtë, po iu tregojmë se si ndikojnë disa ushqime të caktuar në prodhimin e qumështit të gjirit dhe pse duhet t’i konsumojmë dhe kur duhet t’i kufizojmë apo t’i mënjanojmë disa prej tyre.

Peshku
Është një burim i mirë proteinash. Disa lloje si salmoni dhe peshku ton iu japin gjithashtu omega-3 për të cilat trupi juaj ka nevojës. Por çfarë mund të themi për merkurin dhe helmet e tjera? Ju mund të hani rreth 340 gr ushqime deti të gatuara në javë. Zgjidhni ato që përmbajnë sasi më të pakta të merkurit, si: salmon, tilapia dhe troftë.

Ushqime pikante
E doni salcën pikante? Shumë bebe mund ta menaxhojnë mirë këtë lloj ushqimi në dietën tuaj. Por nëse i vogli juaj ka gazra, ka dhimbje barku dhe diarre kur ju konsumoni spec djegës apo ushqime të tillë, atëherë hiqni dorë nga ushqimet pikante.

Mendër, majdanoz dhe sherebelë
Ato kanë shumë shije, por disa erëza mund të ndikojnë në sasinë e qumështit të prodhuar nga trupi. Përshembull nëse hani shumë majdanoz ju mund të zvogëloni prodhimin e qumështit. Edhe sherebela dhe mendra në doza të larta mund të ndalojnë prodhimin e qumështit. Për disa nëna janë problem edhe pastat e dhëmbëve apo ëmbëlsirat me shije mendre.

Qumështi
Është një problem i rrallë, por shikoni reagimin e foshnjës tuaj. Drejtohuni te pediatri nëse fëmija juaj krijon ekzema ose urtikarie, nëse ka probleme me frymëmarrjen pasi pi qumësht gjiri ose ka simptoma të tjera.

Çaji
Kafeina që gjendet në çaj mund të ndikojë në gjumin tuaj dhe të foshnjës. Çaji mund ta bëjë të vështirë për trupin tuaj edhe përthithjen e hekurit, për të cilin keni nevojë për të qenë energjik. Kur pini çaj (të nxehtë apo të ftohtë), përpiquni të mos e pini kur hani ushqime të pasur në hekur, si: mish, ushqime me gjethe jeshile apo në ngjyrë të errët apo cereale të fortifikuar për mëngjes.

Vezë, kikirikë dhe arra
Nëse nuk jeni alergjik dhe dëshironi që edhe fëmija juaj të mos zhvillojë alergji, nuk ka prova se mund ta arrini diçka të tillë duke mënjanuar ushqime të caktuar. Por, të hiqni dorë nga disa ushqime të caktuar mund të bëjë që ekzema të ketë më pak gjasë të ndodhë te i vogli juaj. Për këtë duhet të këshilloheni me pediatrin.

Pijet me sheqer
Një nga efektet e ushqimit me gji të foshnjës suaj është se mund t’iu bëjë të ndiheni më të etur se zakonisht. Nëse ndjeni etje, pini një gotë të madhe me ujë sa herë që ushqeni foshnjën me gji. Por, mos pini pije me gaz apo pije frutash, të cilat iu japin kalori pa ushqyes.

Alkooli
Edhe një sasi e vogël alkooli në qumështin e gjirit nuk është e sigurt për vogëlushin tuaj. E mira është që të mos pini fare alkool, por nëse e bëni, mos e ushqeni fëmijën tuaj për disa orë, derisa alkooli të jetë larguar nga qumështi. Për 0.35 litër birrë, 0.14 litër verë apo 0.04 litër liker, prisni të paktën 3 orë para se të ushqeni me qumështi gjiri bebin tuaj. Edhe urinimi nuk e shpejton procesin e pastrimit të qumështit nga alkooli.

Ushqimet që krijojnë gazra
Ushqimet që shkaktojnë gazra zakonisht janë fasulet, brokoli, lakra dhe lakrat e Brukselit. Fryrja, gromësitja dhe lëshimi i gazrave janë normalë. Por nëse vogëlushi juaj ka gazra apo ka dhimbje barku, mënjanojini këta ushqime për disa javë, për të parë nëse simptomat do të qetësohen.

Çokollata dhe kafeja
Që të dyja përmbajnë kafeinë. Kafeina gjendet edhe në pijet energjike dhe në cola. Nëse nuk mund të rrini pa filxhanin tuaj të kafes me qumësht, kufizojeni sasinë e asaj që merrni në 2-3 filxhanë në ditë dhe përpiquni të konsumoni një lloj me më pak kafeinë ose pa kafeinë. (shije)
(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb