Në Rimini të Italisë do të startojë sot Champions-i i minifutbollit amator, aktivitet ku marrin pjesë 18 ekipe nga Bullgaria, Rumania, Polonia, Hungaria, Çekia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Moldavia dhe Shqipëria, që përfaqësohet nga kampionët e Prestige MFC.
Për tri ditë me radhë skuadrat do të matin forcat në betejë për trofeun e shumëdëshiruar. Ndërkohë, pasditen e djeshme është hedhur edhe shorti i kompeticionit.
Prestige, skuadër që ishte kokë grupi është shortuar në Grupin A, ku do të ketë si kundërshtarë bullgarët e Terra Trakut dhe polakët e In-Plusit. Ndeshja e parë për Prestige do të jetë sot në orën 10:00 ndaj In-Plusit, ndërsa sfida e dytë në grup do të jetë nesër në të njëjtën orë ndaj Terra Trakut.
6 vendet e para të grupeve dhe 2 vendet e dyta më të mira kualifikohen për në raundin çerekfinal. Kujtojmë që Prestige është tre herë kampion në minifutbollin shqiptar, ndërsa kjo do të jetë prezenca e tretë për ta në Champions.
Prestige ka shkëlqyer në dy pjesëmarrjet e mëparshme në Europë, teksa në debutim në vitin 2018 arriti të kalojë fazën e grupeve, për t’u eliminuar më pas vetëm me penallti nga një prej skuadrave pretendente.
Ndërsa në vitin 2019 regjistroi një rezultat historik për minifutbollin shqiptar duke avancuar deri në gjysmëfinale.

PANORAMASPORT.AL
