Paolo Maldini po përgatitet të përballet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve duke treguar besim të madh në mundësitë e Milanit të tij: “Nuk do të jetë e lehtë, por mendoj se historia e klubit na jep mundësinë të besojmë në të”.
“Ka ndodhur edhe herë të tjera: kur mbërrin në mars-prill dhe vjen Champions League, mund ta shndërrosh një sezon në diçka të pabesueshme. Ne e kemi këtë mundësi dhe duam ta shfrytëzojmë” – u shpreh drejtori sportiv i Milan.
Maldini foli për ndeshjen e ardhshme kundër Napolit në një videokonferencë kushtuar tifozëve kuqezi që jetojnë në Ukrainë, një nga iniciativat e shumta të kryera nga Fondacioni Milan që kur vendi u pushtua dhe u zhyt në luftë:
“Ne na pëlqen të ëndërrojmë. Pa ëndërr, ndoshta do të kishim fituar më pak Champions League dhe madje edhe në skuadrën aktuale kemi shumë ëndërrimtarë. Është mirë që ekzistojnë, ashtu siç është mirë që ka edhe më realistë.
Edhe unë kam qenë ëndërrimtar kur kam luajtur. Më pëlqen të ëndërroja, vetë jeta ime ka qenë një ëndërr dhe ishte veçanërisht e tillë në Milano. Pa ëndërruar, edhe unë ndoshta do të kisha fituar më pak Champions League”.
Ish-kapiteni më pas rrëfeu se kishte menduar për finalen e 2005-ës, të cilën e humbën në mënyrë sensacionale kundër Liverpool-it në Stamboll, qyteti që do të presë edhe finalen e këtij viti. Në atë kohë, Carlo Ancelotti ishte në stolin e kuqezinjve, një kundërshtar i mundshëm në ndeshjen finale të planifikuar për 10 qershor:
“A e dini cili është problemi? Se edhe Ancelotti, i cili tani është te Real, ka një çështje pezull me Stambollin. Menjëherë pas shortit më thirri: ‘Paolo shihemi në Stamboll, po?’”.
Së fundi, dialogu me tifozët ukrainas ishte një mundësi për të rigjurmuar marrëdhënien e tij me Andriy Shevchenkon: “Andry nuk është vetëm një nga shokët më të mirë të skuadrës që kam pasur ndonjëherë, por një mik i vërtetë për mua dhe familjen time.
Ne kemi shpenzuar shumë kohë së bashku, madje edhe shumë pushime. Ai është një familje për mua. Në Kiev, një qytet që e dua, kam kaluar momente të rëndësishme me të dhe kam qenë gjithashtu atje për finalen e Champions League 2018 mes Real Madrid dhe Liverpool.”
(BalkanWeb)
