Chelsea frenon Arsenal, nuk lejon “topçinjtë” të arratisen, me ekipin e Artetas që lë dy pikë në “Stamford Bridge”. Një pikë në Londër nuk është për t’u hedhur poshtë, por Arsenal mund të bënte diçka më shumë në këtë transfertë në një kohë kur Chelsea mbeti me 10 lojtarë që në minutën e 38-të, ku Caicedo u ndëshkua me karton të kuq pas një faulli të rendë në mesfushë.

Pavarësisht se me një lojtar më pak, ekipi i Maresca-s kaloi në avantazh me fillimin e pjesës së dytë gjatë zhvillimeve të një goditje këndi. Festa nuk zgjati shumë pasi në minutën e 59-të, Merino me kokë, konvertoi në gol një asist perfekt nga Saka. Arsenal kishte kohën e nevojshme për të gjetur edhe golin e fitores, por Chelsea mbrojti me fanatizëm këtë pikë që i mban në vendin e tretë në Premier League në kuotën e 24 pikëve, një më pak se Man.City dhe minus 6 nga Arsenali kryesues.

Në përfundim të ndeshjes, Arteta nuk e hedh poshtë këtë pikë përballë Chelsea-t: “Ishte një derbi i vërtetë, i luftuar që nga minuta e parë. Të dy skuadrat ishin të vendosura për të fituar, kishte shumë kartonë dhe pak lojë të rrjedhshme. Pas kartonit të kuq, dëshironim të mbyllnim ndeshjen, por pësuam një gol nga një goditje standarde, ai gol ndryshoi gjithçka, ndërsa ne hasëm vështirësi në sulm”, u shpreh Arteta pas ndeshjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb