Pas shkarkimit tronditës të Thomas Tuchel të mërkurën, blutë e Londrës zhvilluan bisedime me Graham Potter për pozicionin vakant. “The Sun” zbulon se 47-vjeçari ka pranuar të bëjë kalimin në Londrën Perëndimore.
Chelsea shpreson që Potter të mund të jetë në stol të shtunën, kur të përballet me rivalët e Fulham në “Craven Cottage”. Me Potter të vendosur për të nënshkruar kontratën e tij me Chelsea, ai është filmuar duke hyrë në terrenin stërvitor të Brighton për herë të fundit.
Pamjet e shpërndara nga “Sky Sports” tregojnë Potter duke udhëtuar drejt selisë së “pulëbardhave” të enjten në mëngjes. Krahas tij ishte edhe asistenti Billy Reid, i cili pritet ta ndjekë atë në kryeqytet. Potter anuloi konferencën e tij për shtyp në Brighton përpara ndeshjes kundër Bournemouth, të planifikuar për më vonë sot, në shenjë të një ndryshimi të afërt.
Detajet e kontratës me Potter dhe një paketë kompensimi prej të paktën 20 milionë stërlinash për Brighton tani do të finalizohen. Trajnerët e tjerë, përfshirë Zinedine Zidane, ishin në shqyrtim, por Potter shihej gjithmonë si zgjedhja e parë nga pronarët e rinj amerikanë të Chelsea.
(BalkanWeb)
