Pasi likuidoi Man.City, Aston Villa i shkaktoi një humbje minimale edhe Arsenal, duke u futur në garë për një vend në Champions, por ky ishte një asist edhe për Liverpool, me të kuqtë që e shohin veten në krye të Premier League, plus një pikë në raport me Arsenal.

Një fitore të rëndësishme këtë javë siguroi edhe Tottenham, me “gjelat” që thyen Newcastle me rezultatin 4-1.

Londinezët kaluan në avantazh në minutën e 26-të, ndërsa në të 38-të ishte Richarlison që dyfishoi shifrat. Sulmuesi brazilian përsëriti veten me fillimin e pjesës së dytë duke dërguar shifrat në 3-0. Për të mbyllur llogaritë me Newcastle mendoi koreani Son që kompletoi “pokerin” e golave. Në shtesë, Newcastle realizoi golin e nderit, por vetëm kaq. Me këtë fitore, Tottenham renditet në vendin e 5-të në kuotën e 30 pikëve, tre më pak se Man.City i vendit të katërt.

Nuk ka “shpëtim” për Chelsea-n, nuk ka asnjë efekt as “kura” Armando Broja. Përballë Everton, sulmuesi shqiptar zbriti në fushë si titullar, por pa mundur të lë gjurmë, i zëvendësuar në minutën e 67-të. Blutë pësuan një humbje të pastër 2-0 në transfertë duke zbritur gjithnjë e më shumë në tabelën e klasifikimit, pas javës së 16 ndodhen në vendin e 12-të, 14 pikë larg zonës Champions.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb