Chiara Ferragni shënon rikthimin e saj publik dhe profesional duke u bërë fytyra e re e fushatës globale të Guess. Kjo është hera e parë që influencuesja dhe sipërmarrësja italiane shfaqet në një projekt të tillë pas përfundimit të çështjes gjyqësore “Pandorogate”, ku ajo akuzohej për mashtrim të rëndë. “Fundi i një makthi që zgjati dy vite”, deklaroi Ferragni jashtë gjykatës.
Në një deklaratë zyrtare, Ferragni e ka cilësuar bashkëpunimin me “Guess” si një moment simbolik rifillimi.
Ferragni ka falënderuar gjithashtu bashkëthemeluesin e Guess, Paul Marciano, për mbështetjen e treguar në një periudhë delikate të jetës së saj, duke e përshkruar përvojën në set si “të veçantë dhe të paharrueshme”.

Në komunikimin zyrtar, kompania e përkufizon Ferragnin si “simbol të inovacionit, të shprehjes së vetvetes dhe të influencës digjitale”, një figurë që shërben si urë mes trashëgimisë ikonike të markës dhe gjuhës spontane të rrjeteve sociale.
Për Guess, Ferragni mishëron idenë e gruas bashkëkohore, “glamour por autentike, aspiruese por e vërtetë”. Fushata për koleksionin Pranverë/Verë 2026, e frymëzuar nga një rishikim i American Dream, është prezantuar fillimisht në rrjetet sociale, territori ku Ferragni ka ndërtuar dhe transformuar imazhin e saj publik. Fotot e para e tregojnë me një estetikë minimaliste, vetëm një palë xhinse blu të errëta, në dy poza bazike, njëra e kapur nga pas dhe tjetra e shtrirë.
