Në fillim, kur emri i tij doli si pasues i Inzaghi-t, dyshimet mbi Chivu ishin shumë të forta, por sot, pas 40 ndeshjeve në krye të ekipit zikaltër i gjithë diskutimi ka ndryshuar. Me të në stol, Inter po zhvillon një super sezon, janë në krye të Serie A dhe favorit absolut, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë dhe në fazën “play-off” të Champions League. Në këtë periudhë rëndon vetëm eliminimi nga Bologna në Superkupë.
Në 40 ndeshje, Inter ka marrë 29 fitore, 2 barazime dhe 9 humbje me një mesatare prej 2,23 pikësh për ndeshje. Me këtë mesatare, Chivu kalon trajnerë si Inzaghi, Mourinho, Conte e Mancini, trajnerë që kanë shkruar historinë e klubit duke fituar trofe. Deri më tani numrat e Chivu-t janë fantastike aq sa ka bindur drejtuesit e klubit t’i ofrojnë një kontratë të re, ose më saktë të mendojnë që tani për të zgjatur bashkëpunimin.
Chivu ka një kontratë të vlefshme deri në 2027 ndërsa përfiton 2,5 milionë euro në sezon. Ideja e drejtuesve është të zgjasin bashkëpunimin deri në 2028 ose deri në 2029.
Chivu vlerësohet shumë edhe për një tjetër fakt, ka ndërtuar një ekip shumë sulmues, ku pa përfshirë ndeshjet në Botërorin për Klube, të besuarit e tij kanë shënuar 83 gola, me një mesatare prej 2,31 golash për ndeshje. Me të në stol kanë gjetur rrugën e rrjetës 17 lojtarë të ndryshëm, Lautaro është më efikasi me 18 gola të shënuar, i ndjekur nga Thuram me 12 gola.
