Sapo ka zbritur në Shtetet e Bashkuara së bashku me delegacionin zikaltër, trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka folur për mediat nga CGTN Sports Scene, duke ndarë emocionet përpara sfidës në Kupën e Botës për Klube.

“Kjo është një kompeticion i veçantë, jo vetëm për faktin që luhet në Rose Bowl, një stadium me shumë rëndësi për amerikanët dhe jo vetëm,” – u shpreh tekniku rumun. “Do të zhvillojmë vetëm një ndeshje këtu, por jemi shumë të lumtur që ndodhemi në këtë turne.”

Interi do të përballet me skuadrën meksikane të Monterrey në sfidën e vetme të fazës në grup që do të zhvillohet pikërisht në impiantin historik të Pasadena-s.

“Jemi mësuar të jemi vazhdimisht në lëvizje – vijoi Chivu – prandaj nuk kemi pritshmëri të mëdha për sa i përket strukturave. E dimë që këtu janë të një niveli të lartë dhe duam ta respektojmë maksimalisht këtë kompeticion, i cili ka një rëndësi të madhe për FIFA-n.”

Zikaltrit janë të vendosur të lënë gjurmë në këtë aventurë ndërkombëtare, duke përfaqësuar me krenari emrin e Interit në një skenë globale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: