ITALI- Një skandal ka përfshirë Italinë, në qytezën e Pavia-s. Bëhet fjalë për blerjen e një fëmijë nga një çift homoseksualësh nga një grua shqiptare, me një çmim prej 70 mijë eurosh. Tani autoritetet italiane kanë arrestuar çiftin homoseksual dhe pritet të dalin para gjyqit.
Gjithçka kishte shkuar mirë, deri sa nëna, një grua shqiptare, identiteti i së cilës nuk është bërë i ditur, ka vendosur që të raportojë në Polici gjithë ngjarjen, pasi nuk i ka marrë të gjitha paratë. Në fakt siç raportojnë mediat në Itali, gruaja nga Shqipëria ka marrë vetëm 5 mijë euro. Çifti homoseksual nga Italia që përbëhej nga një avokat italian dhe një burrë shqiptar pa profesion, kishin vendosur që të bënin një fëmijë.
Partneri i avokatit italian, kishte thirrur kunatën e tij (gruan e vëllait) që të vinte në Itali. Ajo atë kohë ishte shtatzënë me burrin e saj që gjendej në Shqipëri. Gruaja kishte ardhur në Itali për t’u martuar zyrtarisht me kunatin e saj, në këmbim që t’i merrte paratë për fëmijën. Pasi fëmija kishte lindur, gruaja kishte jetuar një kohë me kunatin e saj duke krijuar alibinë se janë të martuar.
Por pas disa muajsh, gruaja ishte kthyer në Shqipëri ndërsa kunati ishte kthyer tek i dashuri i tij, avokati italian. Dyshimet e para mbi këtë mashtrim kishin ardhur pikërisht nga banorët e lagjes së çiftit homoseksual të cilët ishin të njohur në qytet për lidhjen e tyre. Por kur paratë nuk ishin dërguar ashtu siç kishin rënë dakord, gruaja kishte vendosur të rrëfej gjithçka për policinë.
Tani autoritetet italiane kanë ngritur akt-akuzë ndaj të treve. Për çiftin homoseksual është ngritur akuza për kontrabandë të njerëzve dhe mashtrim të shtetit ndërsa për gruan është ngritur akt-akuzë për mashtrim të shtetit dhe falsifikim të të dhënave.
Burri i gruas që kishte shitur fëmijën e që është babai biologjik i tij është deklaruar se nuk di asgjë rreth kësaj marrëveshje. Sipas tij, gruaja ka dhënë rrëfimin se fëmija ka mbetur tek i vëllai.
(BalkanWeb)

