Ishte data 21 korrik 1985, kur Bernard Hinault ngriti krahët lart në Paris me fanellën e verdhë, duke fituar për herë të pestë Turin e Francës, triumfi i fundit për të në karrierë në kompeticionin më prestigjioz të çiklizmit.
40 vjet më vonë, çiklizmi francez ende nuk e ka gjetur trashëgimtarin e legjendës, Hinault. Që atëherë, asnjë francez nuk është ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit në garën më të rëndësishme në botë. Një agjërim i dhimbshëm kombëtar për Francën dhe i pashpjegueshëm, për të cilin është rikthyer të flasë ikona e çiklizmit, Bernard Hinault. “Për të fituar Turin e Francës duhet të jesh një superyll”, shprehet Hinault në një intervistë për “EFE”. Për të, problemi është strukturor dhe pothuajse gjenetik: “Kjo nuk mund të prodhohet. Një çiklist nuk është si një makinë, ai duhet të ketë talentin e lindur”.
Që nga ajo fitore në “Champs-Élysées” me presidentin Jacques Chirac që duartrokiste, Franca ka përjetuar një udhëtim të vërtetë nëpër shkretëtirë. Në vitin 1986, Hinault përfundoi i dyti, më pas ishte Jean-François Bernard (i 3-ti në vitin 1987), Laurent Fignon (i 2-ti në vitin 1989 pasi humbi vetëm me tetë sekonda), Richard Virenque (podiume në vitet 1996 dhe 1997), dhe më së fundmi Jean Christophe Péraud, Thibaut Pinot dhe Romain Bardet. Por asnjë fanellë e verdhë, asnjë kartolinë finale me himnin e “Marseillaise” duke luajtur. Franca ka shumë çiklistë konkurrues të nivelit mestar, por vazhdon të mungojnë kampionët dhe sukseset në kompeticionin e shtëpisë. “Ne kemi garat më të bukura dhe jemi një komb çiklizmi, por asgjë. Kështu është jeta”, shprehet Hinault, i cili sheh te Pogacar atë që ai e konsideron modelin e një kampioni absolut.
“Pogacar është i vetmi që ngjan me mua dhe me Eddy Merckx. Ai ka ambicie, fiton në pranverë dhe vjeshtë, i pëlqen garat… Ai nuk garon për të qenë më popullor, ai garon për të fituar”, deklaron ish-kampioni, i cili e pranon se vendi i tij nuk prodhon më çiklistë të këtij kalibri. Shpresa e fundit e madhe ishte Julian Alaphilippe në vitin 2019. Ajo shfaqje e paharrueshme dyjavore u riktheu shpresat francezëve, por kur nisi pedalimi në male, u shua gjithçka. Edhe Thibaut Pinot duhej të tërhiqej për shkak të lëndimit pikërisht ditën që mund të kishte marrë kryesimin në Tignes. “Një zinxhir ngjarjesh pa fat”, e përshkruante asokohe shtypi vendas. Me ndërkombëtarizimin e çiklizmit, britanikët, kolumbianët, sllovenët, danezët, australianët festuan në tokën franceze. Që nga viti 1985, njëmbëdhjetë kombësi të ndryshme e kanë fituar garën, ndërsa Franca vazhdon të shikojë triumfet e të tjerëve, mes zhgënjimit, nostalgjisë dhe shpresës, që mbetet gjithnjë e më e largët. Dje u bënë saktësisht katër dekada, ndërsa Hinault nuk pret mrekulli.
“Që një francez të fitojë, duhet të rrëzohet i gjithë grupi i çiklistëve”, thotë ai me shaka.
PSG SI MODEL – Franca ka duruar periudha të gjata “thatësire” në disa nga sportet e saj kryesore. Në çiklizëm, siç edhe e përmendëm, asnjë francez nuk e ka fituar Turin e Francës që nga koha e Bernard Hinault në vitin 1985. Në tenis, Roland Garros nuk ka parë asnjë lojtar vendas të triumfojë që nga suksesi i Yannick Noah në vitin 1983. Ndërsa në futboll, pas më shumë se tri dekadash pritjeje që nga titulli i Olympique de Marseille në vitin 1993, PSG më në fund i dha fund thatësirës këtë sezon, duke ngritur Ligën e Kampionëve dhe këtë e bëri duke shënuar triumfin më të thellë në historinë e një finaleje të Champions-it, pasi turpëroi me rezultatin 5-0 Interin e Milanos.
