Tadej Pogaçar vazhdon të shkruajë historinë. Slloveni triumfoi për herë të parë në “Milano-Sanremo”, duke siguruar Monumentin e katërt të karrierës pas një sprinti dramatik ndaj Tom Pidkok në “Via Roma”.

Kampioni i botës e arriti fitoren pavarësisht një rrëzimi 30 kilometra nga fundi, që prishi planet e ekipit UAE. Me ndihmën vendimtare të MekNulti, Pogaçar u rikthye në krye dhe shpërtheu me një sulm të fortë në Poxhio, ku la pas Matjë van der Poelin. Në finale, gjithçka u vendos mes Pogaçarit dhe Pidkokut. Dy çiklistët zhvilluan një duel të fortë rrotë më rrotë, por slloveni u tregua më i shpejtë, duke fituar me diferencë minimale në një sprint që do të mbahet mend gjatë.

Ndërsa për t’u shënuar në garë ishte edhe ngatërrimi i rrugës nga grupi kryesues i garës, të cilët u futën gabimisht në një rreth-rrotullim, për t’u kapur më pas nga pjesa tjetër e pelotonit. Podiumin e plotësoi Vut van Aert, që u rikuperua pas një incidenti gjatë garës. Me këtë fitore, Pogaçar konfirmon dominimin e tij në çiklizmin botëror dhe shton një tjetër kapitull të madh në karrierën e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb