Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka folur për të ardhmen e tij politike në një moment kur brenda PD-së vijon përplasja mes lidershipit dhe lëvizjes që ai ka nisur me demokratët në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa drejtuesit e PD e kanë akuzuar për “vetëpërjashtim”, Salianji ka bërë të qartë se e sheh veten ende brenda partisë dhe në betejë për ta bërë atë fituese.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Salianji deklaroi se objektivi i tij kryesor është ringritja e Partisë Demokratike dhe rikthimi i saj në një forcë konkurruese përballë qeverisë.
“E shoh veten në PD duke bërë beteja që PD të jetë fituese”, u shpreh ai.
Salianji theksoi se përplasjet politike dhe dallimet në ide nuk e kanë prishur marrëdhëniet e tij personale me askënd, duke nënvizuar se ndarja mes tij dhe lidershipit aktual është politike dhe jo personale.
“Për shkak të betejave politike nuk humbas asnjë mik. Kemi pasur përplasje idesh më parë, por nuk ka munguar komunikimi dhe ruajtja e anës njerëzore. Unë nuk ndahem me askënd në aspektin njerëzor për shkak të ideve, politikisht padiskutim që ka ndarje”, tha Salianji.
Ai shtoi se miqësitë dhe marrëdhëniet personale nuk duhet të ngatërrohen me konfliktet politike, duke theksuar se për të, përplasjet janë pjesë e debatit brenda një partie që synon të rikthehet në pushtet.
