Ish-kreu i degës së PD-së në Kavajë, Hysen Kadiu i është përgjigjur kryedemokratit Sali Berisha pas deklaratës së këtij të fundit se kushdo që i bashkohet Ervin Salianjit është i përjashtuar nga Partia Demokratike.

Në postimin e tij, Kadiu shkruan: “Nuk më ka futur Salianji në PD, o doktor… dhe nuk më përjashton dot as ti”!

Ndërkohë, më herët, me Berishën replikoi edhe ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji. Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji u shpreh se deklarata e Berishës është dëshmia e qartë se problemi i Partisë Demokratike nuk është mungesa e mbështetjes, por mungesa e demokracisë.

Ai shtoi gjithashtu se PD nuk është pronë private.

“Uzurpatori ka shqetësim cilindo që e do Partinë Demokratike fituese, për uzurpatorin ata janë problemi, e shqetësojnë në rehatinë e tij të bashkëqeverisjes me Ramën. Problemi sot është është mentaliteti që kërkon bindje të verbër, përjashtim dhe frikë në vend të garës, debatit dhe meritës.

Deklarata e Sali Berishës se “kushdo që bashkëpunon me Salianjin s’ka punë me PD” është dëshmia e qartë se problemi i Partisë Demokratike nuk është mungesa e mbështetjes, por mungesa e demokracisë. Për mbeshtetje nuk pati guxim te përballeshim në garë!

Një parti politike nuk mund të funksionojë si pronë personale e askujt. Në një parti demokratike nuk përjashtohen njerëzit sepse mendojnë ndryshe, nuk shpallen armiq ata që bashkëpunojnë me kolegët e tyre dhe nuk vendoset besnikëria ndaj individit mbi interesin e partisë.

Demokratët nuk kanë nevojë për lista armiqsh, por për një projekt fitues që bashkon dhe jo përçan.

PD nuk do të bëhet shumicë duke përjashtuar demokratët. PD bëhet shumicë duke i bashkuar ata. Kjo është beteja dhe ne nuk do ti shmangemi deri në fund!”, u shpreh Salianji.

Deklarata e Berishës
Kryetari i PD, Sali Berisha reagoi sot për herë të parë lidhur me takimin që Ervin Salianji zhvilloi dje në Tiranës me demokratët. Berisha tha se aty nuk kishte demokratë, por pjesëmarrësit sipas tij janë larguar prej kohësh nga PD.

“Asnjë demokrat nuk ishte aty. T’u themi të vërtetën. Ata që ishin dhe ata që dolën janë prej kohësh të ndarë nga PD, ose nuk kanë qenë kurrë në PD. Asnjë demokrat nuk ishte në mënyrë absolute që ndjek PD-në“,- tha Berisha.

“Cilido që ndjek Salianjin i mbyll hesapet me PD-në. Nuk janë kritika ato. Ata kanë veprime konkrete kundër Partisë Demokratike”, shtoi ai.

Pyetje-përgjigje

Pyetje: Zoti Berisha, disa demokratë ditën e djeshme ishin në një tjetër tubim…

Sali Berisha: Asnjë demokrat nuk ishte aty të ç’është e vërteta. Asnjë absolutisht…

Pyetje: I kemi parë nëpër protesta…

Sali Berisha: Jo, më falni një minutë. Tani t’i themi të vërtetën asaj pune. Unë jam i gatshëm të bëj prova… Jo, jo s’ka nevojë fare, ata që folën, më fal, falni një minutë, ata që ishin dhe ata që folën janë të përjashtuar nga Partia Demokratike ose s’kanë qenë kurrë në Partinë Demokratike.

Pyetje: Pse janë të përjashtuar?

Sali Berisha: Sepse janë kritikë? Jo s’janë kritikë, jo. Arsyet mbeten të ndara…

Pyetje: Janë të përjashtuar apo të vetëpërjashtuar?

Sali Berisha: Urdhëro? Jo nuk janë, jo nuk kanë ardhur vetë. Përveç, përveç atyre që unë i kam quajtur të vetëpërjashtuar, por asnjë demokrat aty, asnjë demokrat nuk ishte…

Pyetje: Zoti Salianji a ka qenë pjesë e… Hysen Kadiu, zoti Berisha…

Sali Berisha: Cili do që ndjek Salianjin, i mbyll hesapet me PD-në. Në rregull, shumë mirë. Absolutisht, cili do që ndjek atë, do të ketë të drejtën e vet, po ama me Partinë Demokratike s’kanë asnjë lidhje.

Pyetje: A nuk është ky një lloj përjashtimi edhe ndaj kritikëve zoti Berisha? Ata po thonë që Partia Demokratike po shkon drejt greminës…

Sali Berisha: Jo, nuk janë kritikë ata. Kritikë ka sa të duash në gjirin e partisë që s’pësojnë asnjë gjë dhe nuk i pyet asnjë, kurse ata kanë veprime konkrete kundër Partisë Demokratike. Në qoftë se ti, më fal një minutë, në qoftë se ti je larguar gjatë fushatës, atëherë ti, një gjë është e sigurt, minimumi që vend drejtues nuk mund të marrësh.

Pyetje: Zoti Salianji ka qenë në burg gjatë fushatës…

Sali Berisha: Jo, nuk ishte në burg, jo nuk ishte në burg. Tjetër punë, tjetër punë…

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb