NGA LIRA GJIKA*
“Kë do ti më shumë? Mamin apo babin, apo do nënën, se ajo të ka rritur”. Kjo shprehje e tmerrshme, që përdoret nga të gjithë, madje është bërë edhe reklamë, vetëm e gjymton fëmijën. Prindër! Mos ja bëni këtë pyetje fëmijës dhe mos lejoni të tjerët, t’ja bëjnë këtë pyetje fëmijës tuaj. Fëmija është i vogël e duhet ta duan të rriturit, madje e kanë për detyrë ta duan. Ajo, që është më dramatike te i rrituri, qëndron te fakti që është i pavetëdijshëm për pyetjen. Kur i pyet të rriturit, se çfarë qëllimi ka kjo pyetje? Ai, i rrituri, ngre supet dhe thotë shprehjen, e pakuptimtë, “ja, ashtu kot”.
Fëmija i vogël ende nuk i di fjalët, nuk u di kuptimin dhe kur i bëhet një pyetje, ajo vetëm e shqetëson. E para nuk e kupton, e dyta, ai fëmija e di, që duhet ta duan, mami, babi, gjyshërit, që ai duke u rritur të sillet si ata, po kur të rritet, jo tani që është I vogël.
Njerëzorja, të nderuar të rritur, nuk është gjë e lindur, ajo mësohet dhe zhvillohet nëpërmjet edukimit dhe sigurisë. Kjo pyetje, shkatërron këto dy elementë, besimin te të rriturit dhe për pasojë edhe edukimin, si njeri i përgjegjshëm e qytetar. Kjo pyetje, e vendos fëmijën në dilemën e rëndë të zgjedhjes. Dhe për fat, fëmija nuk ka ende mekanizma as për të kuptuar se çfarë i pyetet dhe as për tu përgjigjur. Edhe një gjë, kujtoni veten kur duhet të zgjidhni sa të vështirë e kini. Atëherë, si i kërkoni fëmijës të bëjë një gjë, që edhe për ju të rritur, është e vështirë?
(d.b/BalkanWeb)
