Manchester City po humbet durimin me përpjekjet për transferimin e Harry Kane këtë merkato, pasi Tottenham nuk po jep asnjë sinjal për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve.
Sulmuesi është grumbulluar nga trajneri Nuno Espirito Santo për ndeshjen e Conference League kundër Pacos Ferreira të enjten, ndërsa u la jashtë javës së parë të Premier League pikërisht kundër Manchester City.
Kane ka shprehur dëshirën klubit se dëshiron të transferohet në “Etihad”, por Tottenham ka vendosur të luajë fort, duke qenë se kontrata e 28-vjeçarit skadon në vitin 2024.
Administratori Daniel Levi këmbëngul për 150 milionë paund dhe asnjë qindarkë më pak, ndërkohë që zyrtarisht “Qytetarët” kanë bërë vetëm një ofertë, atë përpara Evropianit 100 milionë paund, e cila u refuzua.
Ata kanë menduar ta rritin atë duke përfshirë edhe futbollistë, por qëndrimi i “Spurs” nuk ka ndryshuar asnjë milimetër. City nuk ka ndërmend që të paguajë një shifër të tillë, të cilën e cilëson si të ekzagjeruar.
Për më tepër, ata transferuan Jack Grealish për 100 milionë paund nga Aston Villa, duke e bërë blerjen më të shtrenjtë në historinë e futbollit britanik. Por ata do të përgatisin një ofertë tjetër të përmirësuar, e cila mendohet se do të jetë e fundit.
Dhe në rast se do të marrin një tjetër përgjigje negative nga londinezët, atëherë do të tërhiqen përfundimisht nga gara për të transferuar kapitenin e Anglisë. Guardiola e ka pranuar publikisht se dëshiron ta transferojë sulmuesin, por nënvizoi gjithashtu se nuk mund të bëjë dot asgjë më shumë në rast se “Spurs” nuk pranojnë të ulen në tavolinën e bisedimeve.
